Shëndeti Publik
Qytetarët e Tiranës, janë të alarmuar mbi shëndetin e tyre, veçanërisht të fëmijëve e të moshuarve, shkaktuar nga një mjedis i ndotur si dhe nga shërbimi i kufizuar parësor shëndetësor në disa nga zonat e qytetit. Bashkia ka shfaqur indiferencë ndaj çështjeve shëndetësore, duke pasur një përgjegjësi të madhe në këtë drejtim.

Ndërsa qyteti është zgjeruar dhe popullsia thuajse trefishuar, qytetarët vuajnë nga numri i vogël qendrave të kujdesit parësor. Qytetarët në 50 % të rasteve vuajnë nga sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes për shkak të ndotjes së lartë të ajrit në Tiranë, si rezultat i ndërtimeve të padisiplinuara dhe të trafikut të rënduar.
Qytetarët blejnë dhe konsumojmë produkte ushqimore në tregjet e Tiranës, pa minimumin e kontrollit të higjienës. E për këtë është përgjegjëse Bashkia. Tregjet e vogla, me gjendjen e tyre, janë bere vatra të rrezikshme për shëndetin publik. Shëndeti i qytetarëve rrezikohet çdo ditë për shkak të punës së dobët të Bashkisë dhe mosbashkëpunimit me institucionet e specializuara të shtetit.
Basha për Tiranën
Lulzim Basha do te mundësoje një mjedis të shëndetshëm, si dhe ngritjen e një sistemi shëndetësor modern, shumë pranë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Basha do të shpallë shume shpejt një program të plotë që të gjithë qytetarët e Tiranës të kenë qasje në kujdesin shëndetësor.
Qytetarët e Tiranës do të mund të përdorin shumë shpejt qendrat e kujdesit parësor që do të shumëfishohen me angazhimin e Bashkisë, veçanërisht ne zonat e qytetit ku ato mungojnë si; Don Bosko, Komuna e Parisit, Rruga Jordan Misja, Uzina Dinamo.
Bashkia do të angazhohet me investime te përbashkëta me Qeverinë për shndërrimin e Spitalit aktual te Sanatoriumit ne një spital modern vetëm për qytetaret e Tiranës dhe njësive vendore fqinje. Ky spital do të ofrojë shërbim me shtretër dhe në të njëjtën kohë edhe shërbim të specializuar ambulator për të gjithë grup-moshat e në veçanti për të moshuarit dhe individët me aftësi të kufizuara
Bashkia do të ngrejë dhe zgjerojë rrjetin e qendrave sociale komunitare shumëfunksionale, përfshirë shërbimet shëndetësore kurative dhe parandaluese brenda tyre,. Bashkia do të investojë edhe në mënyra më fleksibël të parandalimit apo trajtimit shëndetësor, si qendrat mobile diagnostikuese, apo fuqizimi i sistemit të ndihmës së shpejtë mjekësore.