Ne jemi të hapur për të gjithë instrumentat që garantojnë rrugën përpara, rrugën që kalon përmes miratimit të reformës zgjedhore, garantimit të vullnetit politik, më e rëndësishmja për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore kushtetuese të mbajtura në një ditë.

Ajo që ka rëndësi sot është që kemi një opozitë që përfaqëson interesin e shumicës së shqiptarëve, që ka dorëzuar pushtet për t’i shërbyer interesit publik dhe që është e gatshme, e qartë dhe e vendosur për rrugën përpara, që duhet të jetë rruga e ndryshimit. Kështu nuk mund të vazhdohet më.

Kemi një kryeministër që nuk ka më asnjë ide, asnjë vullnet, asnjë ofertë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë dhe është kapur me thonj pas pushtetit. Shikoni shembullin e Maqedonisë së Veriut, shembulli i përgjegjësisë politike.

Një vend që, në fund të fundit, u bë viktimë e problemeve që Shqipëria paraqiti në Këshillin Europian e, megjithatë, ishte e para që ndërmori hapin normal, u ktheu mandatin qytetarëve që të vendosin qytetarët për rrugën përpara.

Ky është shembulli i një politike të përgjegjshme që vendos interesin e njerëzve mbi interesat e veta, që vendos interesin e kombit, të atdheut, të qytetarëve, të vogëlushëve, mbi interesat personale të pushtetit.

Nuk është kurrë vonë për të reflektuar ndaj dhe thirrja ime ndaj PS-së është të reflektojë sa nuk është vonë.

Natyrisht, kjo nuk është një situatë që mund të vazhdojë pa fund, ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë, jo vetëm për Reformën Elektorale, por për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt që edhe durimit të njerëzve po i vjen fundi dhe as Edi Rama dhe as kushdo tjetër nuk mund të mendojë se do të vazhdojë ta trajtojë Shqipërinë si çifligun e vetëdhe shqiptarët si bujkërobërit e vet.

Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të ndjehet aksionar dhe pjesëtar i përfshirë dhe i përfaqësuar në këtë demokraci, institucione që nuk i takojnë botës së krimit dhe oligarkëve dhe u shërbejnë botës së krimit dhe oligarkëve, por institucionet që u takojnë të gjithë shqiptarëve.

Kjo rrugë është rruga e zgjedhjeve të parakohshme, parlamentit legjitim, qeverisë që përgjigjet para këtij parlamenti dhe para qytetarëve dhe institucioneve që e zbatojnë ligjin njësoj për të gjithë.