Mirëprita sot në selinë e Partisë Demokratike dy miq të shquar të Shqipërisë Reinhold Lopatka, Kryetar i Komisionit të Çështjeve Europiane dhe Nënkryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin austriak  dhe z. Michael Hammer zv/Kryetar i Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Parlamentin austriak.

Në vizitën e tyre dy parlamentarët e shquar të Austrisë mike kanë ndërmarrë një sërë takimesh dhe, gjatë takimit me përfaqësues të opozitës dhe gjatë takimit që kanë patur këtu me mua, kemi diskutuar për prioritetin më madhor kombëtar, negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në emër të opozitës, në emër të Partisë Demokratike kam përsëritur qëndrimin tonë të qartë, të prerë duke i kërkuar miqve tanë të bëjnë gjithçka që negociatat për anëtarësim të hapen, ky vendim të merret në Këshillin Europian në fund të këtij muaji.

Natyrisht shqetësimet për gjendjen politike në vend mbeten, veçanërisht sa i përket kapjes së politikës, kapjes së pushtetit nga krimi, kapjes së drejtësisë nga pushteti dhe problemeve që kjo ka shkaktuar për shtetin ligjor, për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë.

Por pikërisht për këto arsye duke mos e fshehur të vërtetën, iu kemi thënë miqve tanë austriakë që ne e dimë fare mirë se kemi probleme serioze, jemi të angazhuar si opozitë për t’i zgjidhur këto probleme, kemi nevojë për ndihmën austriake dhe ndihmën europiane për t’i zgjidhur këto probleme, ndaj kërkojmë hapjen e negociatave si një instrument presioni dhe kontrolli ndaj qeverisë me qëllim që Shqipëria të përparojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, në luftën kundër korrupsionit, në zhbërjen e kapjes së shtetit nga krimi dhe në një drejtësi të pavarur e cila nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin.

Dua të falenderoj me këtë rast, Sebastian Kurz, Kancelarin e Republikës së Austrisë, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe qëndrimin e tij të qartë pro hapjes së negociatave dhe të falenderoj nga zemra dy bashkëbiseduesit dhe dy miqtë e nderuar sot në Tiranë, zyrtarët e lartë, përfaqësuesit e lartë të parlamentit austriak.