Gëzuar nga zemra të gjithë shqiptarëve ditën e shenjtë të Flamurit, Ditën e Pavarësisë dhe Lirisë së Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar!

Sot përkulemi me nderimin më të thellë para simbolit tonë kombëtar, flamurit të Kastriotëve që u ngrit për herë të parë në kështjellën e tyre 28 Nëntor 1443.

Përkulemi me nderim para Ismail Qemal Bej Vlorës dhe gjithë firmëtarëve të Pavarësisë së shtetit shqiptar, sakrificës së tyre sublime që çuan në  datën tjetër të shenjtë në historinë tonë 28 Nëntorin e vitit 1912.

Përkulemi para qindra e mijëra të rinjve e të reja, burrave dhe grave që dhanë jetën, antifashistë dhe nacionalistë në luftën për Çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët.

Përkulemi para sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit legjendar Adem Jashari, i cili po kështu lindi në këtë ditë të bekuar më 28 Nëntor.

Dhe para sakrificës së mijëra shqiptarëve të tjerë që u flijuan për lirinë e Shqipërisë, për lirinë e kombit shqiptar, kudo ku ata jetojnë.

Kjo sakrificë, ky çmim i lartë që kombi ynë ka paguar për pavarësinë dhe lirinë është i pandarë nga beteja e përditshme për të ruajtur lirinë dhe demokracinë.

Për lirinë dhe demokracinë duhet luftuar çdo ditë. Dhe jam sot në krah të gjithë qytetarëve që janë ngritur për të mbrojtur liritë e tyre dhe të drejtat e tyre.

Dhe e konsideroj ditën e sotme edhe një ftesë për një bashkim të madh të gjithë shqiptarëve në një betejë të përditshme e papushim derisa liria e çdo shqiptari të jetë e pacënuar dhe e garantuar në fakt ashtu siç është e garantuar në ligj dhe në Kushtetutë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!