Asgjë nuk ka për të ndryshuar, asgjë nuk ka për t’u bërë më mirë nëse nuk mposhtim krimin e lidhur me pushtetin dhe pushtetin e lidhur me krimin. Asgjë nuk ka për të ndryshuar në jetët e shqiptarëve, në përditshmërinë tuaj nga orat e para të mëngjesit deri në orët e fundit të mbrëmjes, nga ajo që kemi hequr dhe po hiqni tash 4 vjet të shkatërrimit të Shqipërisë nga rilindja e kriminaliziuar dhe nga krimi i rilindur, nëse ne nuk e çojmë këtë betejë deri në fund me fitore pa pritur asnjë ditë, asnjë orë por tani këtu në këtë shesh deri në fitoren e kësaj kauze.


Asnjë vend i ri pune nuk do të hapet, por qindra vende pune do të shkatërrohen ditë për ditë nga një ekonomi e asfiksuar ku nuk konkurohet më as me ide, as me inovacion, as me punën e ndershme dhe as me djersën e ballit, por ku gjithçka vjen peshqesh nga lidhjet e korruptuara të një grushti oligarkësh me një grusht pushtetarësh që i ndajnë miliardat e taksave të shqiptarëve për 5 apo 10 xhepa miliarderësh që jetojnë në luks total dhe totalisht të shkëputur nga realiteti dhe nga varfëria e mjerimi i shqiptarëve.


Asgjë nuk ka për të ndryshuar në spitalet shqiptare, që janë shndërruar në një purgator për pacientët tanë, për të afërmit tanë, për prindërit tanë, për fëmijët tanë. Dhe janë shndërruar në një ferr të vërtetë edhe për ne, familjarët e tyre teksa shohim se, ato që duhet të jenë stacionet e shërimit, janë në fakt paradhomat e përcjelljes për në botën tjetër për shkak të korrupsionit që i ka shndërruar në kullesa nga ku vidhen dhe shpërdorohen miliardat e taksave të shqiptarëve që nuk kthehen as në paisje të reja, as në përgaditje më të mirë për mjekët, as në mjekë dhe infermierë të përgatitur, as në ilaçe të rimbursueshme, por vetëm në koncesione korruptive që i kanë marrë gjithsej 3 klientë të qeverisë. Tre klientë me qindra milionë euro të shqiptarëve në xhepat e tyre që në rastin e shëndetësisë nuk është thjesht korrupsion, por është krim kundër njerëzimit, është genocid kundër shqiptarëve.


Asgjë nuk do të ndryshojë për rininë shqiptare, asgjë nuk do të ndryshojë për studentët shqiptarë, përkundrazi, ligji aktual i Arsimit të Lartë e ka të shkruajtur të zezë mbi të bardhë, se tarifat do të rriten nga viti në vit, ndërkohë që cilësia e mësimdhënies në auditore do të bjerë nga viti në vit, duke rënë kështu edhe mundësia për të pasur një brez të ri të mirëarsimuar e të gatshëm t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.


Asgjë nuk do të ndryshojë, por do të bëhet edhe më keq nëse ne nuk e ndalim marrëzinë e pushtetit të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me pushtetin.


Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë që në këto katër vite kanë parë se si fuqia e tyre blerëse ka rënë, se si mundësitë për të blerë prodhimet dhe shërbimet të domosdoshme për jetën e tyre, për mbijetesën e tyre janë më të pakta se katër vite më parë dhe, sesi duke shkelur edhe parashikimet ligjore, rritjet simbolike janë më të vogla se inflacioni që gërryen xhepat e tyre për të mos folur për faturat e kripura të energjisë, faturat e ujit, faturat e ilaceve, taksat lokale dhe qendrore, dhe lloj-lloj faturash të tjera që e lanë pensionistin shqiptar me gisht në gojë.


Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë po nuk e ndalëm këtu, po nuk e mposhtëm këtu tiraninë e bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me tiraninë. Asgjë nuk do të ndryshojë për intelektualët e përbuzur, të tallur, të diskriminuar nga një kryeministër arrogant, delirant dhe injorant që fshihet pas fasadës sipërfaqësore të kopertinave që ka lexuar Edi Rama.