Në vijim të turit të takimeve me qytetarët shqiptarë, u ndala në Lezhë. Vendi ndodhet në një udhëkryq vendimtar, ku shumica absolute e shqiptarëve të ndershëm po varfërohet dhe po humbet të drejtat nga sundimi i një pakice të kriminalizuar dhe të korruptuar.  Shqipëria sot nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin dhe po kap drejtësinë për të mos dhënë llogari para saj. Akti antikushtetues i kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm është prova me e qartë.

Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës tek Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqëndron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, reformës në drejtësi.

Skandali i Saimir Tahirit, Ministrit të Brendshëm që drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës me bekimin e kryeministrit, ka vulosor fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo.

Detyra jonë është që të bëjmë bashkimin më të madh të shqiptarëve që nga viti i themelimit tonë, të bëhemi zëdhënësit dhe përçuesit e kësaj shumice absolute të shqiptarëve dhe t’u themi se rrugëdalja nuk është as rënia në depresion, as vetëflijimi, as tragetet, as emigrimi, as avioni por bashkimi në sheshet e protestës.