Miqtë tanë të nderuar, publicistët, opinionistët, nënat, studentët, qytetarët prej tash 80 ditësh trajtojnë shqetësimin e madh kombëtar të një Shqipërie pa zgjedhje, por me votime moniste.

Plani kriminal i Edi Ramës është t’iu mohojë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur. Fillimisht, plani ishte t’ua mohonte këtë, me opozitën në fletën e votimit, por me krimin dhe drogën në qafën e votuesve.

18 shkurti ia dogji këtë plan ndaj tani, plani tij kriminal është të shkojë në zgjedhje të asgjesuara moralisht, politikisht dhe ligjërisht, me një subject të vetëm politik, me koalicionin e hajdutëve me të cilët qeveris Shqipërinë në këto 4 vite.

Edi Rama, ka disa ditë që flet për destablizimin e Shqipërisë. Në fakt Edi Rama e destabilizoi Shqipërinë me themele në këto 4 vite.

Faktorët kryesorë të destabilizimit të Shqipërisë janë krimi i ngritur në pushtet, në institucione, me deputetë kriminelë, me kryetarë bashkish kriminelë, me kryepolicë kriminelë, krye doganierë, tatimorë dhe drejtorë kriminelë.

Prishi çdo palë zgjedhje që pati në dorë. Nisi nga Korça, dy muaj pasi kishte marrë pushtetin, në një situatë të vështirë për opozitën, kur ne garuam për hirë të garës qytetare me një qytetar të jashtëzakonshëm, vetëm e vetëm për t’i dhënë demokracisë garën e ndershme.

Edi Rama nuk u mjaftua, u filmua duke shpërndarë para për vota. Në 2015-ën vonoi ligjin për dekriminalizimin, që të çonte Roshin në Kavajë, Tur Bushin në Krujë, Artur Bardhin në Kurbin, kandidatë me rekorde kriminale në Fushë-Arrëz, në Pukë, në Has, Tërmetin në Tepelenë.

OSBE/ODIHR tha se me ato zgjedhje ka shkatërruar besimin e shqiptarëve tek procesi elektoral. E mbushi Shqipërinë me drogë, ia dorëzoi PS-në e Dibrës plotësisht kriminelëve dhe futi duart edhe në zgjedhjet në Kolonjë.

Edi Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ndaj projekti i tij mbetet shkatërrimi i zgjedhjeve, diktimi i Parlamentit dhe qeverisë së ardhshme, jo nga vota juaj por nga krimi dhe droga në pushtet.

Edi Rama e ka destabilizuar Shqipërinë. Vendin që gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, e bënë anëtare të NATO-s në vitin 2009, ky vend sot nuk kontrollon dot as kufijtë, as territorin. Vendi është nën kontrollin e krimit të organizuar, bandave të drogës dhe kupolës së korruptuar kriminale të Policisë së Shtetit.

Shqipëria është e destabilizuar sepse qytetarët janë në dëshpërim dhe pasiguri të plotë. Rama nuk e sheh drogën dhe krimin, si armik ky sheh vetëm opozitën dhe çdo qytetar që është ngritur në këmbë për demokraci dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme ose e shan, ose e përbuz, ose e kërcënon.

Erdhi në pushtet me premtimet e 300 mijë vendeve të punës. Jo vetëm nuk hapi vende të reja pune, por me politikën e tij anti- ekonomike, anti-mirëqenie mbylli me qindra –mijëra vende pune, falimentoi me mijëra biznese të vogla duke mbyllur mundësitë që të tjerët të merrnin të tjerë në punë.

Rriti taksat, rriti çmimin e energjisë, çmimin e naftës dhe të gjitha këto fatura që vuri mbi shpatullat e shqiptarëve, kurrë nuk i ktheu tek shqiptarët as si investime, as një kilometër rrugë, asnjë shkollë të re apo spital për të qenë.

Një pjesë tjetër jua dha ndërtuesve të të famshmes rilindje urbane, buzëkuqi që i kushtoi shqiptarëve të varfëruar deri në palcë 600 milionë euro.

Për traditën e etërve të tij politik ka shpikur armikun dhe fushatën moniste për 18 qershorin do ta bëjë me të. Ai e di se çfarë e gjen atë në përballje me votë të lire para qytetarëve. E di mirë se çfarë e pret nga drejtësia e pavarur, njeriun që ngriti krimin dhe drogën në pushtet në këto 4 vite.

Demokracinë reale atë pjesëmarrëse, jo përfaqësuese, që e ka në dorë çdo qytetar i lirë europian, shqiptarët s’e kanë pasur asnjë ditë.

Ky është ultimatumi i brezit të ri.

Votim monist në 18 Qershor nuk do të ketë.

Votim pa opozitën nuk do të ketë. Parlament të diktuar nga krimi dhe droga, nuk do të ketë.

Ne bashkohemi për të nisur në 13 maj, themelimin e Republikës së Re për çdo qytetare e qytetar shqiptar.