Çdo ditë që kalon, kriza ekonomike thellohet, pamundësia për të përballuar jetën shtohet, ndërsa njeriu përgjegjës për këtë situatë harxhon orë të tëra në ekran duke folur për gjithçka përveçse për hallet e qytetarëve.

Sot bisedova me banorë, sipërmarrës të vegjël e fermerë në zonën e Saukut dhe Baldushkut. Papunësia është rritur, fuqia blerëse ka rënë, çmimet janë rritur e për qytetarët po bëhet gjithnjë e më e veshtirë mbijetesa.

Edhe në këto ditë të vështira, paratë që duhet të shkonin për qytetarët, për biznesin e ndershëm, për të mbështetur fermerët prodhimet e të cilëve u prishën, shkojnë për tendera e PPP korruptive. Taksat e rritura si në asnjë vend tjetër në rajon mbushin xhepat e oligarkëve dhe qeveritarëve që i ndajnë bashkë me njëri-tjetrin.

Në këto 7 vjet virusi më shkatërrimtar për qytetarët dhe ekonominë është RAMAVIRUSI.

Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një qeveri të përgjegjshme se ekonomia, nuk ka asgjë më prioritare se t’iu krijojë mundësi qytetarëve të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet.

Ne e kemi një plan me të cilin do të mbështesim biznesin përmes krijimit të lehtësive fiskale dhe do të ndalojmë bandën e taksidarëve t’iu bëjë presion për rryshfetin e rradhës.

Ne do të akordojmë subvencione që do të shkojnë si mbështetje direkt tek fermerët në varësi të prodhimit të tyre.

Do të heqim taksën “Rama” mbi naftën dhe si çdo qeveri tjetër e përgjegjshme në Europë do t’iu garantojmë shqiptarëve përmbushjen e nevojave minimale për jetën dhe arsimin për fëmijët.

Asnjë fëmijë, nxënës apo student nuk do të mbetet pa shkollë për shkak të pamundësisë ekonomike.

Ne do të ndërtojmë një qeverisje normale, që do të punojë për shqiptarët dhe jo për një grusht oligarkësh.