Alternativa e mbajtjes së Shqipërisë në pushtetin e drogës, e mbajtjes së Shqipërisë nën pushtetin e krimit, jo vetëm që do të bllokojë një herë e mirë rrugën europiane të vendit tonë, por do ta kredhë ekonominë, demokracinë, stabilitetin shoqëror në një humnerë të zezë e të thellë nga e cila do të na duhen jo vetëm vite, por dekada për të dalë.

Ja pra pse lufta juaj, qëndresa juaj, vendosmëria juaj, është kaq e rëndësishme. Sepse çdo orë, çdo minut, çdo sekondë, që gjithësecili prej jush i fal kësaj qëndrese të vendosur, është jetë, frymëzim, besim dhe shpresë për brezat që do të vijnë.

Ndaj e di se jeni me energji të plota dhe vendosmëri të madhe jo vetëm prej forcës dhe karakterit, prej naltësisë së qëllimeve që ju kanë bashkuar këtu, që janë çështje të brendshme të gjithësecilit prej jush, por edhe prej bekimit të të madhit Zot, për sakrificën që po bëni jo thjesht për veten tuaj, por për brezat që po vijnë.