Mirembrëma ju, gazetarëve, operatorëve, punonjësve të medias, faleminderit për kohën, sakrificën, lodhjen në mbulimin e protestës së opozitës, të ngjarjeve të vrullshme të ditës së sotme dhe jo vetëm.

Me lejoni ta nis me një keqardhje të madhe për numrin rekord të Fake Neës që janë prodhuar sot në portale dhe në media të ndryshme, një pjesë prej tyre janë thjeshtë dhe vetëm keqinformime, apo dezinformime, për shkak të mungesës së informacionit deri në këtë moment, por një pjesë qartësisht kanë prapavijë dhe investim nga Edi Rama.

Jam këtu për të zbardhur tërësisht dhe pa asnjë rezervë mbledhjen e gupit parlamentar, video-konferencën me Presidentin e Partisë Popullore Europiane Joseph Daul dhe zv.presidentin e EPP, njëkohësisht Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, dhe për t’iu përgjigjur interesimit tuaj për çdo sqarim apo pyetje.

Pra mesazhi i parë ndaj qytearëve është: sot ju kanë ngopur me rrena. E vërteta është si vijon.

Grupi Parlamentar u mblodh sot në radhë të parë për një komunikim të drejtpërdrejtë me presidentin e EPP Joseph Daul dhe Komisionerin e Zgjerimit Johannes Hahn, njëkohësisht nënkryetar i Partive Popullore Europiane. Gjatë kesaj video konference u përcoll shqetësimi i madh i EPP për krizën politike dhe elektorale ne Shqipëri, shqetësim i jashtëzakonshëm për situatën e krimit dhe ne veçanti të drogës si një problem kapital shqiptar, por tashmë edhe europian. U përcoll po kështu angazhimi afatgjatë i Bashkimit Europian në luftën kundër drogës, si një prioritet total i BE, çka mund t’ju them se është lajm i mirëpritur, pasi, ju e dini se për një kohë të gjatë, PD, opozita dhe qytetarët, të bashkuar në një front kombëtar kundër drogës, e kanë ngritur këtë çështje, jo thjesht dhe vetëm si çështje të shëndetit të shqiptarëve dhe natyrisht, edhe te konsumatorëve europiane, por për Shqipërinë si një çështje të demokracisë, ekonomisë dhe vetë ekzistencës së shtetit shqiptar, si një kontratë midis qytetarëve dhe qeverisjes dhe jo si një narkorepublikë, ku shqiptarët skllavërohen nga droga, ku, pasi u merren tokat, arat, liria e tyre personale, për të punuar drogën, ju merret dhe e drejta për të zgjedhur me votë të lirë Parlamentin dhe qeverinë që dëshirojnë, sepse narkomafia dikton përmes qeverisë së Edi Ramës dhe kërkon të diktojë përmes qeverisë së ardhshme Parlamentin dhe qeverisjen e ardhshme.

E konsideroj këtë pra si një hap cilësor dhe i tillë është pa asnjë dyshim.

Veçanërisht, në sfondin e zbehtë të rezolutës së Parlamentit Europian për drogën dhe në atë që unë personalisht e kosnideroj problematike në progres raportin e vitit të kaluar, mungesën e theksimit të ketij problemi. Tashmë ky është një problem i jashtëzakonshëm për Europën falë edhe betejës së qytetarëve shqiptarë sebashku me opozitën shqiptare.

U rikthye në vëmendje e Marta e javës së kaluar, për të shmangur çdo keqinformim, te cilat nuk kanë munguar, në raport me Partinë Populore Europiane, në raport me institucionet europiane, në raport me publikun shqiptar në veçanti.

Marr në këtë moment përgjegjësite e mia personale, për mos-shpjegimin në detaje të asaj që ndodhi të Martën e kaluar.

Pas një takimi prej një ore e gjysmë në selinë e Partisë Demokratike të ndermjetësiuesit McAllister dhe shoqëruesit të tij Fleckenstein, ku u njohën hollësisht me gjendjen në Shqipëri, sa i përket krimit, kriminelëve në politikë dhe institucionet shtetërore, drogës dhe parave të drogës, kthimin e shetit shqiptar në një garnizon elektoral ne funksion te Edi Ramës, si kurrë më parë në 27 vite, pasi u njohën me problemet e thella, u larguan me shpresën që do të na kontaktonin nëse do të kishte zhvillime.

Gjysmë ore më vonë, u ra dakort për dy takime të veçanta në të njëjtin orar në Pallatin e Kongeseve. Mua dhe delagacionit qe më shoqëronte na u paraqit një dokument me tre pika i hartuar, si morem vesh me vonë, edhe me ndihmën e ekspertëve të tre misioneve në Tiranë, OSBE, Bashkimi Europian dhe SHBA, ku paraqiteshin këto propozime.

– Shtyrja e zgjedhejve me 16 korrik.

– Zëvëndësimi i katër ministrave te kabinetit Rama me persona teknik të zgjedhur nga Rama dhe të aprovuar nga opozita. Kjo është pikë e rëndësishme se është spekulluar mjaft këtë jave, pjesë të fajit kam edhe unë, eshte spekulluar edhe sonte.

– Dhe një paketë mikse ku feksin dëshira për të parë një zgjedhje me konsensus të Presidentit te Republikës, të Avokatit të Popullit, kalimin e kryetarit të KQZ opozites, por jo shumicën në KQZ, dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE, pjesëmarrje te OJQ-ve në gjithë këtë proces.

Ne pamë në këtë pikë të tretë disa nga propozimet tonat të Majit të vitit të kaluar dhe një sërë propozimesh të tjera të dobishme, por të cilat garantoheshin vetëm nga vullneti politik.

Kundëroferta jonë ishte si vijon:

– Prania e katër ministrave teknik të përcaktuar nga Rama por me aprovimin tonë u gjet komplet e pamjaftueshme për faktin e thjeshtë se Rama e ka provuar në këto katër vite se është i aftë të blejë deputete, parti të tëra opozitare e ti kthejë në parti qeveritare, të blejë deputetë të opozitës madje, të blejë edhe deputetë të LSI, partnerit të vetë në qeverisje, dhe se nuk do të kishte asnjë problem që të tjetërsonte menjëherë idenë pas këtij propozimi, për ti kthyer katër ministra teknike të propozuar nga ai, qoftë edhe me aprovimin tonë, në katër persona të bindur për axhenden politike të Edi Ramës që në këndvështrimin tonë mbetet shkatëririmi i zgjedhjeve të ardhshme përmes influencës së krimit drogës dhe kapjes totale të shtetit.

– Kundërpropozimi ishte që në qeverinë teknike kryeministri të propozohej nga Partia Socialiste, Edi Rama apo mazhoranca, ua lamë atyre në dorë.

– Për cështjen e dates, ne sqaruam ndërmjetësuesit europianë se data në vetëvete kondicionohet nga një sërë procesesh për të garantuar votën e qytetarëve shqiptarë, ku në pikëpamjen tonë, më i rëndësishmi është votimi biometrik, elektronik dhe numërimi elektronik i votave të shqiptarëve.

Na u tha se OSBE-ja kishte përsëritur këngën e vjetër se kjo nuk funksion.

E refuzuam me fakte të demonstruara nga personalitetet më të larta europiane, disa prej të cilëve sot në videokonferencë, se si funksionon tash 12 vjet me sukses te plote sistemi elektronik i votimit në vendet me shkallë të lartë analfabetizmi, siç është Brazili, apo India.

Siç funksionon në vende europiane, siç janë disa prej republikave baltike.

Argumenti i dytë, kundër votimit elektronik, ishte koha në dispozicion. Në këtë kuadër, ne ua konfiduam ndërmjetësuesve europianë se në kontakt me pesë kompani kryesore europiane, prej të cilave kemi marrë garancitë, se prototipi për votimin elektronik mund të ndërtohet 3 deri në 5 javë nga momenti i porositjes dhe 5 mijë prototipë të tillë, 4 deri në 6 muaj. Dikush e ka ofruar për 4 muaj, dikush për 6 muaj, për të mbuluar të gjithë Shqipërinë me qendra elektronike, biometrike, ku shqiptarët hyjnë në dhoma pa komisionerë, pa kartë identiteti, indentifikohen me shenjat e gishtërinjve që tashmë është 90% e punës, ndodhen në bazën e të dhënave në serverin e sigurt që shërbeu për heqjen e vizave për shqiptarët, dhe votojnë në një sistem që në Europë quhet, sistemi i biletës së trenit, pra duke shtypur, një, dy apo tre herë. Një herë duke shtypur koalicionin, herën e dytë partinë brenda koalicionit, dhe deputetin e përzgjedhur, ky do të ishte një varietet i listave të hapura apo i zgjedhjeve mazhoritare me korrektim proporcional, etj…

Pra është plotësisht e mundur.

Argumenti tjetër ishte, se kjo kushton para.

I thamë se ne e dimë që kjo kushton para, dhe do të kushtonte me pak nese kjo do të ishte bërë në maj të vitit të kaluar, por, sado para të kushtojë, do të kushtojë më pak se 2.8 miliardë euro që oligarkia e lidhur me krimin e kryesuar nga Edi Rama, ka shpërdoruar dhe vjedhur në 3 vite e gjysëm, të një qeverisje arrogante, të papërgjegjshme dhe jollogaridhënëse para shqiptarëve.

Kompromisi ishte se nese kjo nuk mundësohet në periudhën 4 deri në 6 muaj, siç garantojnë kompanitë që i prodhojnë këto sisteme për vendet e Bashkimit Europian dhe për vendet e tjera të botës, të shikonim mundesine per indentifikimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës.

Sa për pikën e tretë, ne u thamë se gjejmë veten tonë në shumë prej atyre pikave dhe nuk kemi absolutisht asnjë ambicie, përfshirë çështjen e Presidentit të Republikës në këtë ekuacion, se çështja e kryetarit të KQZ-së është tërësisht e parëndësishme.

I takon mazhorancës të mbajë përgjegjësi përmes kryetarit të KQZ-së dhe me këtë kundërpropozim, u ndamë me ndërmjetësuesin McAllister, me shpresën se do të ishte një hap më tej për të afruar palët, për të ngushtuar hendekun, deri në mundësinë e ndërtimit të një ure që do të funksiononte si marrëveshje politike.

Pas kësaj, nuk patëm asnjë informim tjetër. Me sa duket, pala tjetër refuzoi. Qartësisht refuzoi, duket qartë, të jemi të drejtpërdrejt me qytetarët.

Patëm një komunikim nga zyrat e Bashkimit Europian dhe të nesërmen një komunikim nga McAllister në facebook, ku konstatohet kriza e rëndë politike dhe zgjedhore në vend.

Ndamë po kështu me Presidentin Daul dhe Komisionerin Hahn, një fakt që duhej ta kisha ndarë me z.McAllister, që pikat kryesore e këtij komunikimi, më ishin dhene ditë para mbërritjes së McAllister, dhe ditë para mbërritjes së Zigmand Gabriel, Ministrit të Jashtëm gjerman, nga njerëz të afërt të kryeministrit Rama.

Ajo që u paraqit si një platformë e mundshme zgjidhje, ishte diçka për të cilën Rama ishte në dijeni, prej një kohe shumë më të gjatë se sa ishte në dijeni opozita.

E ndava këtë sot me bashkëbiseduesit tanë.

Qartësuam qëndrimin tonë se kjo është një betejë për qytetarët shqiptarë. Për të drejtën e tyre për të zgjedhur të lirë nga krimi, nga droga, nga paratë e korrupsionit. Të lirë nga trysnia që u ushtrohet nëpunësve publikë të shtetit, të çdo rangu dhe kategorie, deri tek kushërinjtë e tyre të largët.

Nuk është kurrë një kauzë për përfitime pushteti, politike apo personale të Partisë Demokratike apo të opozitës.

Thënë kjo, dhe nënvizuar kjo disa herë gjatë video-konferencës, ofrova gjithçka në pushtetin dhe mundësitë e mia personale dhe si kryetar i Partisë Demokratike, dhe si kryetar i opozitës, si edhe gjithçka që Partia Demokratike mund të ofrojë nga interesat e veta politike, me qëllim arritjen e një marrëveshje politike që do të mundësojë votën e lirë të shqiptarëve.

Ky është qëndrimi ynë pa ekuivokë. Gjithçka për votën e lirë të shqiptarëve. Jemi gati të ofrojmë gjithçka që mundemi, nga privilegji, pushteti, gjithçka që kemi ne në dorë për të ofruar, edhe unë vetë personalisht, me qëllim arritjen e kësaj marrëveshje që do të mundësojë votën e lirë të shqiptarëve.

U hoqën paralele me Maqedoninë ku theksova qartësisht se kjo duhet të shërbejë për të mos pasur 2 standarde. Në një vend ku prodhohen përgjime, audiokaseta, veprohet me qeveri teknike, edhe Mali i Zi në këtë rast. Dhe në një vend, ku në vend të gjurmëve ne të tregojmë ujkun, pra kriminelët me funksione shtetërore, drogën sheshit. Dhe atë që kemi treguar tash 3 vite, është e konfirmuar nga raportet ndërkombëtare dhe europiane siç është raporti i Europolit.

Në rastin e parë shkohet drejt qeverisë teknike, dhe në rastin e dytë ngurrohet për të shkuar drejt kësaj zgjidhje që ne propozojmë si një zgjidhje e ndershme që jep garanci.

Këto janë dy standarde, janë të papranueshme. E papranueshme është po kështu të identifikohet opozita si problem, siç ishte deklarata e Sigmar Gabrielit, në asnjë rresht të të cilit para takimit me mua sigurisht, nuk u përmed droga, krimi dhe as dialogu. Se kjo, për ne ishte e papranueshme dhe e papërgjegjshme dhe nuk i kontribuon zgjidhjes. Ne nuk jemi problemi. Ne kemi treguar, denoncuar dhe luftuar problemin. Dhe përsa i përket problemit të drogës, kur na u kërkua të vazhdojmë të jemi aleatë të Europës, jo vetëm garantova që do të jemi aleatë të Europës, por mirëprita isntitucionalisht këtë hap gjigand që Bashkimi Europian po hedh, si një aleate e Partisë Demokratike, të opozitës dhe fronit kombëtar kundër drogës që është aktiv prej 3 vitesh, ne një betejë jo elektorale dhe madje mund të thoja anti-elektorale në kushtet ku e ka sjellë Edi Rama Shqipërinë, por një betejë parimore edhe për Europën sigurisht por në radhë të parë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ndërkohë që qendrimet tona kanë qënë këto, nuk kemi pasur deri më sot asnjë propozim të vetëm nga ai që eshte përgjegjës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kryeministri. Çfarë do të bësh për kriminelët që i ke akoma anëtare të Kuvendit, kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj në polici, në dogana, në taksa, në shendetësi, në arsim, në transport, nëpër bashki. Si do e zgjidhësh këtë problem për të ofruar garanci për votën e lirë?! Çfarë do bësh për drogën dhe me bosët e drogës me mbështetje direkte personale nga ty?! Ti që nuk pranon të heqësh dorë nga karrigia jote. Çfarë do bësh për shtetin që e ke kthyer në një garnizon elektoral?! Çfarë garancish jep?! Asnjë përgjigje nuk ka dhënë deri më sot.

Ndaj qendrimi është fare i qartë. Edi Ramës i kërkohet dorëheqja dhe bashkë me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, të bashkohemi në një front kundër së keqes. Partia Demokratike dhe opozita është e gatshme të heqë dorë nga pjesa morale e kësaj beteje që tregon me gisht përgjegjësin e vërtetë që është Edi Rama dhe Partia Socialiste, në momentin që këta bashkohen me ne për ti luftuar ato përmes një qeverie teknike me mandatin popullor që tashmë e dini.

Kaq mjafton. Largimi i tij për ti hapur rrugë qeverisë teknike mjafton si një garanci me mandatin popullor. Edi Rama refuzon të japë dorëheqje. Mban peng një komb të tërë, një Shqipëri të tërë. Kompromenton interesat kombëtare të sigurisë, ekonominë, interesat e shqiptarëve. Kompromenton, po kështu siç ka kompromentuar deri tani, interesat e Europës dhe interesat euroatlanetike, me një Shqipëri të dobët, kufinjtë dhe territori i së cilës nuk kontrollohen më nga shteti, por nga krimi i organizuar, siç e shohim ditë për ditë.

Le të marrim për një minut skenarin tjetër. Merrni pjesë në zgjedhje se i zgjidhim pas zgjedhjeve gjërat. E para e punës, Partia Demokratike është në këtë betejë për qytetarët shqiptarë. Dhe nëse ne tradhëtojmë këtë kauzë të qytetarëve shqiptarë, shumica e tyre kanë gjithë të drejtën ta shohin si një fatalitet siç e kanë pare edhe para dhe gjatë kësaj kauze me largimin masiv nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Tre grupe njerëzish, tre reagime shoh unë ndaj një qendrimi të tillë.

Shoh një numër të vogël njerëzish fanatikë që do ta ndjekin Partinë Demokratike. Shoh një numër të madh të zemëruarish që do të shohin se si për prapanicën tonë, për karriget tona, për privilegjet tona shitëm kauzën popullore. Njerëz që shkojnë në shtëpi pa bukë për fëmijët e tyre, pa lekë për fletorët apo këpucët e tyre. Pa asnjë shpresë për të marrë atë që u takon sipas taksave që paguajnë në shëndetësi dhe arsim, të cilët këtë zemërim do ta kenë të pakontrolluar dhe Partia Demokratike do të ketë legjitimitetin e cunguar ta kontrollojë këtë zemërim ndaj një establishmenti, ndaj një kupole, ndaj një shteti të delegjitimuar. Dhe ky është destabiliteti.

Dhe një pjesë të dëshpëruarish, që do të vazhdojnë të bëjnë atë që 300 mijë të dëshpëruar tashmë e kanë bërë, duke u larguar nga Shqipëria.

Ndaj, nëse duam të përballemi me të vërtetën siç e thonë faktet dhe jo siç e them unë, por as siç e thotë Edi Rama dhe firmat e tij milionë dollarëshe të lobimit në Berlin, në Bruksel, në Uashington a kudo qofshin; atëherë, zgjidhja vjen vetëm përmes përballjes me të vërtetën.

E kam thënë dhe e e theksoj që qeveria teknike, votimi elektronik janë për ne mjete për të realizuar kauzën e madhe të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nëse ka propozime të cilat ofrojnë të njëjtat garanci që ne deri më sot nuk i kemi dëgjuar, jemi të gatshëm dhe të hapur ti diskutojmë, por, një gjë nuk jemi të gatshëm të bëjmë, të tradhëtojmë kauzën e qytetarëve shqiptarë, ti lëmë ata në mëshirë të krimit dhe drogës e ne mëshirën e halabakëve të administratës që i marshojnë si dele nëpër mitingjet e Edi Ramës, siç ndodhi sot në Elbasan e dje në Kavajë e kudo tjetër, dhe, të fugojmë pas karrigeve që do të marrim si alibi për një narkorepublikë të rrëzuar në themel.

Ne marrim peshën e plotë të përgjegjësisë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë politike përmes dialogut nëse është e mundur, përmes marrëveshjes politike që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme duke dorëzuar gjithcka që i ka mbetur per te dorezuar opozitës, Partisë Demokratike, apo mua personalisht, por pa dorëzuar të drejtën e qytetarëve për të votuar të pakërcënuar, të pashitur e të pablerë.

Pyetje: Kjo do të thotë vetëm qeveri teknike?

Basha: Sapo ua thashë. Për ne, kjo është zgjidhja. Zgjidhje tjetër deri më sot nuk kemi dëgjuar. Nëqoftëse ka zgjidhje të tjera realiste për votëne shqiptarëve, jemi të gatshëm ti eksplorojmë.

Pyetje: Kush mund të jetë?

Basha: Eshtë qeveria teknike, me një mandat të qartë popullor, për dekriminalizimin, për luftën kundër drogës, kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë edhe votimin elektronik. Kjo është rruga jonë. I takon palës tjetër të ofrojë çfarë mund të ofrojë dhe nuk ka pak për të ofruar. Ne nuk kërkojmë as sarajet, as kontot bankare, as abi-bank bashkë me lobistin gjerman që ka në bord, ish-ministrin gjerman. Nuk po i kërkojmë asgjë nga këto. Po i kërkojmë të ofrojë garanci për zgjedhje tëlira dhe të ndershme në një rrugë tjetër, nëse nuk është dakord me këtë rrugë. Por ajo s’mund të jetë një rrugë fasadë. Këtu nuk ka më hapësirë për fasadë.

Kam edhe një mesazh të fundit. Me këtë vendim shkojmë në procesin e negociatave të thirrur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Vendimi i grupit është; të mbështesë qendrimin e deritanishëm të Partisë Demorkatike të opozitës dhe të lëvizjes sonë tëmadhe popullore, kombëtare, qytetare dhe demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që i tejkalon mirë dhe bollshëm kufijtë e opozitës, ku ka me qindra mijëra të majtë që nesër nuk do ndajnë asnjë nga idetë e programit tone, por sot, ndajnë dy kauza krysore, dy probleme të mëdha të Shqipërisë: dekriminalizimin dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Prandaj, qe ditën e nesërme, pasi sot nuk kam pasur asnjë mundësi të kontaktoj Presidentin e Republikës që kur ka bërë ftesën e tij publike, për të parë modalitetet se kur dhe ku do zhvillohet.

Mashtrimi tjetër që i kishin bërë Bashkimit Europian ishte që skadonte afati. Cili afat u thashë, afati ka skaduar më 28 prill, dhe këta që i kanë rregjistruar më 29, këta janë të gjithë me lista të paligjshme, dhe ju duhet të kuptoni që edhe një gënjeshtër e tillë mjafton për të parë se ku është kredibiliteti i qeverisë sot.

Sot, 18 qershori, është klinikisht i vdekur edhe nga ana ligjore, politike po se po.

Ky është vendimi i grupit parlamentar, pas një diskutimi jashtëzakonisht të detajuar me të gjithë anëtarët e grupit, dhe me këtë vendim, nesër unë jam i gatshëm, në një orë të përshtatur me zotin Rama, në formatin e propozuar nga Presidenti i Republikës, të marr përgjegjësitë që më takojnë si kryetar i opozitës.

Pyetje: Cfarë ka ndryshuar që nga hera e fundit, kur u është propozuar ky takim dhe ju nuk e keni pranuar sepse e keni konsideruar takim fasadë?

Basha: Qartësimi i partnerëve europianë, se ku qendrojmë ne. Pranimi i problemit të drogës, krimit, dhe përdorimit të shtetit si një problem i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e ardhshme shqiptare dhe ndergjegjesimi se përmes një dialogu të sinqertë, mund t’u japim shqiptarëve atë që ftesat për dialog fasadë nuk e kanë dhënë deri sot.

Pyetje: Zoti Basha ju thatë se jeni dakord që të dëgjoni dhe një propozim tjetër që smund të jetë për qeveri teknike, keni idenë se çfarë mund të jetë ky propozim?

Basha: Nuk kam absolutisht asnjë ide, dhe nuk mund të shoh se dikush tjetër mund të japë një zgjidhje tjetër, se sa kjo qe ofrojmë ne. Por, jam i hapur të dëgjoj se çfarë pala tjetër mund të ofrojë, ta harrojë se mund të ofrojë pushtet për PD-në tavolinë. Nuk e kemi kërkuar, dhe nuk do ta pranojmë. Asgjë që na shërben ne, gjithçka që u shërben qytetarëve.

Pyetje: Zoti Basha, do shkoni me kërkesën për të mos qenë zoti Rama kryeministër në zgjedhje?

Basha: Në negociata shkojmë me kërkesën e pandryshueshme të lëvizjes popullore të 18 shkurtit, qeveri teknike pa Edi Ramën kryeministër, me mandat popullor për zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimit, për luftë efektive kundër drogës, dhe për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme me rekomandimet e OSBE-ODHR dhe rekomandime shtesë të 17 shkurtit 2016, përfshirë votimin elektronik.

Pyetje: Kam lexuar një deklaratë të PPE tani që thotë se regjistrimi dhe pjesëmarrja e PD në zgjedhje është e pazëvendësueshme. A do të regjistroheni dhe do të merrni pjesë në zgjedhje?

Basha: Mund ta kisha shkruar me dorën time këtë deklaratë. Gjithë kjo betejë bëhet që opozita t’u mundësojë qytetarëve alternativa, pra të kemi jo një koalicion ose gjysmë koalicion, se gysmën e lanë jashtë dere. Se sot, ke një koalicion të regjistruar, një subjekt zgjedhor i copëtuar, për të dhënë idenë se janë shumë parti, por është një koalicion zgjedhor, dhe shqiptarët kanë të drejtën të zgjedhin midis dy alternativave. Opozita është e vendosur tua japë këtë të drejtë shqiptarëve, por ama, për të zgjedhur dhe jo për t’u detyruar nga krimi, droga dhe paratë e drogës.