Republika e Vjetër është komploti më i madh kundër qytetarëve shqiptarë në 100 vitet e fundit. Eshtë republika e maskave, republika e kukullave që bëjnë teatër nga mëngjesi në darkë në mënyrë që të vjedhin, të zhvasin nga xhepat e pasuritë e shqiptarëve, nga mëngjesi deri në darkë.

Republika e vjetër është një komplot kundër çdo qytetari i ri apo i moshuar, me shkollë të lartë apo me arsim të mesëm, i punësuar, i papunë apo biznesmen i ndershëm.



Republika e vjetër, mos harroni, është një komplot kundër gjithsecilit prej jush, kundër ju të gjithëve bashkë, kundër popullit shqiptar!

Por para se të jetë një komplot politik, republika e vjetër është një komplot ekonomik.

Si mundet ndryshe të mbahet në pushtet një klikë, një grusht njerëzish që rrit taksat, që me paratë e taksave të rritura nuk bën asnjë investim që ndihmon ekonominë, nuk hap asnjë vend të ri pune. Por për shkak të taksave të rritura mbyll qindra –mijëra biznese, 27 mijë për të qenë të saktë vetëm në një vit, sikur të marrim nga 1 të punësuar, 27 mijë familje shqiptare vetëm në një vit kanë humbur të ardhurat si rezultat i komplotit ekonomik, i taksave të larta të republikës së vjetër dhe qeverisë së inkriminuar të Edi Ramës.
Asnjë vend të ri pune, rritje pagash zero, dhe në fakt me pseudorritjen e premtuar nuk shlyhet as 1/3 e efektit gërryes të inflacionit, pra të rritjes së çmimeve që ulin fuqinë blerëse të shqiptarëve, qofshin të punësuar në sektorin publik, qofshin të vetëpunësuar apo punësuar në sektorin privat.

Vende pune jo. Investime ekonomike që rrisin ekonominë jo. Rritje pagash dhe pensionesh jo. Vetëm rritje taksash dhe rritje të kostove kryesore të ekonomisë, siç është nafta, siç është energjia elektrike, siç është ujë i pijshëm, siç janë çmimet bazë të shportës dhe ushqimeve të shportës. Ky është komploti ekonomik që drejtohet kundër çdo babai dhe kundër çdo nëne, kundër çdo fëmije shqiptar, kundër çdo të moshuari dhe çdo të moshuare.

Sepse, me paratë e taksave të rritura, me paratë e çmimit të rritur të naftës dhe të energjisë elektrike, me të vërtetë;

Nuk bëhen investime që t’ju ndihmojnë ju dhe përmirësojnë jetën tuaj;

Nuk financohet shëndetësia që të jetë më e gatshme, më e aftë, më e përgatitur dhe më e mirë pajisur për të ndihmuar pacientët tanë dhe familjarët e tyre;

Nuk ndihmohet rinia e cila sot nuk paguan më pak, por paguan më shumë për t’u futur në universitete;

Nuk ndihmohen pensionistët, të cilët me pensionin e sotëm blejnë më pak se para 4 vitesh;

Me të vërtetë nuk ndihmohet askush nga qytetarët e thjeshtë;

Por ju e dini, pasurohen në mënyrë marramendëse një grusht njerëzish të cilët janë një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh, një grusht pronarësh mediash që kanë për detyrë të shfaqin teatrin e kukullave nga mëngjesi deri në darkë dhe një grusht kriminelësh të lidhur me ta. Kjo është kupola e Republikës së Vjetër. Kjo është qeveria e krimit dhe korrupsionit.

***

Detyra aktuale e republikës së vjetër është të ruajë këtë gjendje, të ruajë dhe të mbrojë me çdo kusht e me çdo çmim këtë status quo. Sepse kjo është status quo-ja, kjo është gjendja që u siguron atyre pushtetin politik dhe përmes pushtetit politik, pasuritë dhe pasurimin e tyre kriminal dhe të jashtligjshëm që të vazhdojnë të rrisin taksat, të vazhdojnë të vjedhin përmes tenderave që i marrin vetëm oligarkët e lidhur me Edi Ramën, të vazhdojnë të vjedhin përmes koncesioneve fantazëm që janë skemat e marrjes së pikës së fundit të gjakut nga konsumatorët dhe qytetarët shqiptarë. Që të vazhdojnë të vjedhin e zaptojnë e të grabisin pasuritë publike të Shqipërisë e shqiptarëve, minierat, bregdetin, naftën, gjithçka që duhet dhe mund të prodhonte mirëqënie dhe të mira materiale për shqiptarët, por në fakt nuk i prodhon, sepse i vjedh kupola e republikës së vjetër. Kupola e republikës së vjetër nuk do të ndalet para asgjëje që ti ruajë privilegjet dhe mundësitë për të vazhduar të vjedhë shqiptarët, për të vazhduar ti trajtojë shqiptarët si një tufë delesh. Kjo është republika e vjetër. Mos harroni, përballë kemi një kupolë kriminale. Qeveria, qeveritarët, kryeministri Edi Rama janë kriminelë dhe hajdutë, janë përfaqësuesit e republikës së vjetër, janë padronët e republikës së vjetër dhe ata kanë një mision, të mbajnë me çdo kusht pushtetin që të vazhdojnë të vjedhin me çdo kusht Shqipërinë.

***

E vetmja forcë, i vetmi rrezik, e vetmja mundësi për tu përballur me këtë gjendje aktuale, me këtë republikë të vjetër, me këtë komplot politik dhe ekonomik, jo ndaj PD por ndaj gjithsecilit prej shqiptarëve të djathtë e të majtë, e vetmja forcë për tu përballur, e vetmja forcë që mund ta ndalë, e vetmja forcë që mund ta përmbysë, jeni ju, është bashkimi i qytetarëve shqiptarë. Ja pse bashkimi popullor i 18 Shkurtit dhe protesta non-stop në këtë çadër të lirisë është mankthi dhe tmerri i Edi Ramës dhe i kupolës së republikës së vjetër, sepse për herë të parë në këto katër vite, shfaqja me kukulla ka marrë fund dhe populli është bashkuar për të marrë në dorë fatet e tij. Për herë të pare, interesat e republikës së vjetër kërcënohen sepse kërcënohet pushteti i tyre sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk nuk do të hyjë dhe as nuk do të pranojë dhe as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për republikën e vjetër, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar. Se ne jemi këtu me një zotim për ti dhënë shqiptarëve zgjedhje për qytetarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për republikën e re. Kjo betejë ka ardhur duke u ngritur nga dita në ditë dhe sot e gjithë këtë javë ndodhemi në një javë vendimtare të zhvillimeve.

***

Republika e vjetër do të shpresojë që, përmes një dialogu fasadë, të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve, në emër jo të interesave të shqiptarëve, por të interesave të kupolës. Me pak fjalë, që Partia Demokratike dhe opozita të marrë karriget e saj dhe llokmat e saj në kupolën kriminale të republikës së vjetër. Kjo është shpresa, ky është projekti. Disa prej jush e dinë këtë. Orët në vijim do ta shpalosin këtë para jush. Komploti i republikës së vjetër mbështetet jo thjesht në autorët e këtij mjerimi dhe komploti ekonomik, që është kryeministri aktual dhe çeta e tij politike, por edhe nga oligarkët që janë mësuar të vjelin miliona jo përmes punës së ndershme po përmes tenderave korruptivë dhe koncensioneve që nuk duan të mbarojnë, dhe nga kriminelët që duan të vazhdojnë ta mbjellin Shqipërinë me drogë e ta mbajnë Shqipërinë një pikë kyçe të trafikut të heroinës dhe kokainës. Dhe nga pronarët e mediave të korruptuara të cilat janë një pjesë e korporatës që përfiton milionat e shqiptarëve duke treguar gënjeshtra nga mëngjesi në darkë. Dhe po ashtu, një grushti avokatësh ndërkombëtarë të kësaj qeverie që paguhen me paratë e korrupsionit dhe paratë e narkomafies shqiptare.

Ky është një rreshtim impresionues. Politikanë me pushtet, oligarkë me miliarda, kriminelë me kobure, pronarë mediash që kanë pothuaj të gjitha ekranet dhe gazetat e Shqipërisë, të gjithë bashkë, unë u them se; sot, njësoj si këto 47 ditë dhe më shumë se ditën e parë të kësaj lëvizje, jam po aq i vendosur dhe i më i inkurajuar se kurrë, sepse e di që në këtë përballje nuk përfaqësoj as hallin tim, as interesat e mia dhe as interesat politike të ngushta të një partie politike, por përfaqësoj interesat dhe shpresat e gjithë shqiptarëve të ndershëm të cilët janë forca dhe siguria, të cilët janë bekimi i republikës së re që po vjen.
Ndaj, nëse, do të ketë dialog politik që e kemi kërkuar që prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pisët të disa politikanëve të opozitës me disa disa politikanëve të maxhorancës që të vazhdojë komploti ekonomik, që të vazhdojë komploti politik, që të vazhdojë republika e vjetër, që të vazhdojë mashtrimi, dështimi, vjedhja, papunësia, por, do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme, themeli i gjithçkaje, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do ti japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra, mënyrave të vjetra dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng interesat, mban peng shpresat, mban peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ky është mandati që ju i keni dhënë opozitës, ky është mandati që i keni dhënë Lulzim Bashës me 18 Shkurt.

Dhe ky mandat, do të përfaqësohet me seriozitet, përgjegjësi dhe vendosmëri në çdo dialog politik, nga i cili nuk do të kthehem kurrë me fitore për veten time, me fitore për partinë time, por vetëm me fitoren për Shqipërinë, për shqiptarët, për Republikën e Re.