Sot Parlamenti ka konsumuar një puç kushtetues. Edi Rama ka konsumuar dhunimin e Kushtetutës për të mbrojtur Sajmir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë, veten e tij.

Opozita ka mbajtur qëndrimin e saj. Qytetarët i janë bashkuar, dua t’i përshëndes, i përgëzoj dhe i falenderoj nga zemra. Sot i kemi treguar mbarë vendit dhe gjithë shqiptarëve dhe gjithë faktorit ndërkombëtar, se ne nuk jemi dhe nuk do të bëhemi kurrë fasadë e autokracisë kriminale.

Shpërbërja e krimit në pushtet dhe pushtetit të lidhur me krimin, sapo ka filluar dhe opozita do të vazhdojë me vendosmëri, me besim të madh, këtë rrugë në krye të qytetarëve të bashkuar për demokraci dhe liri.

Askush të mos kujtojë se ne do  të rrimë duarkryq e do të pranojmë kokëheshtur puçin kushtetues për llogari të krimit. Do të pranojmë kryeprokurorin e Habiljave, Balilajve, Tahirit, Dakos, do të pranojmë Edi Ramën të sundojë këtë vend për pasurimin e tij, dhe  pushtetin e tij, duke shkelur mbi shqiptarët dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Në më pak se dy ditë qytetarët iu përgjigjën thirrjes së opozitës dhe unë dua t’ju falenderoj nga zemra për praninë, vendosmërinë , betejën e tyre epike sot.

Me ne janë qindra, mijëra shqiptarë që njësoj si ne, nuk mund të pranojnë kurrë një narkoshtet me një narkokryeministër,  me një narkokushtetutë, me një narkokryeprokuror.

Fillimi i lëvisjes sonë për të rikthyer kushtetueshmërinë për reformën e  vërtetë në drejtësi, për drejtësinë e pakapur politike, është fillimi i një rruge pa kthim, për përmbysjen e diktaturës së krimit.

Zoti e bekoftë Shqipërinë , Zoti i bekoftë qytetarët e lirë shqiptarë.

Liri, demokraci, drejtësi. ​