Të dashur bashkëqytetarë,

ndodhemi në një moment deja vu.

Tre vite më parë nga kjo foltore Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij ju thanë të njëjtat fjalë: “dekriminalizimi është antikushtetues, shkel të drejtat e njeriut, bën pis Shqipërinë, dekriminalizimi është vetëm një fantazi e sëmurë e opozitës, luftë politike.”

Tre vjet më parë nga kjo sallë dhe nga salla të tjera anembanë vendit, Partia Demokratike bashkë me qytetarët shqiptarë formuloi zgjidhjen e dekriminalizimit për një realitet të tmerrshëm që mbizotëronte anembanë Shqipërisë. Persona me rekorde të tmerrshme kriminale, njerëz shpesh pa asnjë ditë stazh në Partinë Socialiste të Shqipërisë u sollën nga organizata kriminale e rilindjes dhe kreu i saj këtu në këtë sallë si deputetë, u sollën në krye të bashkive të vendit, u bënë drejtorë të mëdhenj në Dogana, në Tatime, në Policinë e Shtetit, në institucione të tjera të rëndësishme të vendit.

Merita e vetme e këtyre njerëzve nuk ishte as artikulimi politik, as vizioni, as dëshira për të ndihmuar bashkëqytetarët e tyre. E kundërta kishte ndodhur. Në shumicën dërrmuese të rasteve, këta njerëz kishin qenë në burg pikërisht për dhunimin e bashkëqytetarëve të tyre, për shitjen dhe trafikimin e vajzave dhe nënave shqiptare; si në rastet e Elvis Roshit, Armando Prengës, Mark Frrokut dhe një duzine deputetësh e kryetarë bashkish. Një pjesë tjetër, njihej për helmimin e brezit të ri, përmes trafikut të drogës, larg prej të qënit shërbëtorë të qytetarëve.

Edi Rama solli në këtë sallë dhe u dha çelësat e qeverisjes llumit të shoqërisë, për një arsye të vetme, sepse i përdori ata në fushatën elektorale të vitit 2013 nën sloganin e bashkimit të të gjithë qelbësirave për të marrë pushtetin më çdo kusht. Shqiptarët e dinë fare mirë se kjo nuk është as shprehje retorike e imja dhe as një sajesë, por strategjia politike e Edi Ramës për të marrë pushtetin: Bashkimi i të gjithë qelbësirave.

Fatura që shqiptarët kanë paguar për këtë bashkim qelbësirash është para syve tuaj, është para tavolinave tuaja, është në xhepat tuaj, është në mendjet tuaja, të dashur bashkëqytetarë, ku për herë të parë në historinë e vendit, më shumë se gjysma e banorëve duan të largohen. Kjo sepse aleanca e Edi Ramës me krimin shkaktoi krizën më të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Për dy vite me radhë Edi Rama dhe të njëjtët folës si sot i rezistuan projektit të dekriminalizimit që opozita, PD solli si zgjidhje. Me miratimin e këtij projekti, gjithsesi, kjo sallë u pastrua nga një numër jo i vogël kriminelësh të veshur me petkun e deputetit që vazhdonin trafikun e drogës, trafikun e qënieve njerëzore, por që, tashmë, kishin shtënë në dorë edhe tenderat, prokurimet, doganat.

Plot 350 funksionarë të emëruar nga Edi Rama nga niveli i deputetit, kryetarit të Bashkisë, këshilltarëve bashkiakë dhe institucioneve të tjera të larta të shtetit nuk janë më e nuk do të jenë për të paktën 20 vite funksionarë të zgjedhur apo të emëruar për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Por marrëdhëniet e krimit me Edi Ramën u sofistikuan. Në këtë anë të parlamentit sot kemi vëllezërit e mafiozëve, ushtarët  e krimit, bashkëpunëtorët e trafikantëve.

Sot krimi kontrollon tërësisht kupolën e shtetit shqiptar. Sot qeveria e vërtetë është ajo e krimit. Ata i marrin rrogat dhe pensionet tuaja. Ata kanë kapur ekonominë, ata vendosin për buxhetin e shtetit, ata madje kontrollojnë ehde sinjalin televiziv. Asnjë qindarkë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, miliona për vete, ky është produkti i transformimit të marrëdhënies midis Edi Ramës dhe krimit.

Sot, opozita do të votojë amendamentin kushtetues, i cili propozon të njëjtën zgjidhje për politikanët, si ai që kemi votuar këtu në këtë sallë, për gjyqtarët dhe prokurorët, të njëjtin model që më pas kjo mazhorancë e adaptoi për Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës. Në të ashtuquajturin Ligj për Vetingun e Policisë, ligj të cilin ne do ta kishim votuar, nëse do të ishte pranuar një kërkesë e jona, që vetingu të niste me Ministrin e Brendshëm.

Sot pra në Shqipëri kemi proces vetingu, të kontrollit të pastërtisë së figurës dhe kontakteve të papërshtatshme me krimin dhe të justifikimit të pasurisë. Asnjë ndryshim nuk ka vetingu për politikanët nga vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët, nga vetingu që kërkohet për policët, për policin më të thjeshtë në fshatin më të largët. Deri tek polici më i thjeshtë shkon vetingu, por politikanët duan të jenë mbi ligjin.

Pra, shqiptarët sot e kuptojnë, që sot, nga kjo sallë, prapëseprapë një veting do të bëhet. Sot, nga kjo sallë do të merret vesh se cilët politikanë duan të jenë mbi ligjin, se cilët politikanë duan të mos i nënshtrohen të njëjtit test, si gjyqtarët, prokurorët, policët dhe gardistët, sepse kanë frikë nga ky test.

Dhe pse kanë frikë? Kanë frikë, sepse kushtet ku ndodhet sot vendi flasin qartë.

  1. Kemi këtu një deputet, që quhet Jurgis Çyrbja, i provuar si anëtar i bandës së rrezikshme të Shullazit, i përfshirë në grabitje, tjetërsim pronash dhe aktivitete të tjera kriminale dhe qëndron në Kuvend i patrazuar.
  1. Kemi akoma diku në radhët e fundit – ndonëse nuk ka ardhur këto kohë – Fatmir Xhafën, që ndihmoi vëllain t’i fshihet drejtësisë italiane dhe të vazhdonte trafikun, derisa u denoncua dhe pastaj manipuloi drejtësinë, duke sajuar dëshmi të rreme dhe pastaj dha dorëheqjen, duke shpresuar se do t’i shpëtojë drejtësisë.
  1. Kemi atë që do të vijë të flasë pas meje, (Taulant Balla), i cili e ka deklaruar personalisht miqësinë me një kriminel të rrezikshëm që, me ndihmën e tij u bë kontraktor i miliona eurove kontrata publike dhe ka një aferë sot prej 60 milionë eurosh për të cilën është devijuar shtrati i Lanës, me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
  1. Kemi Alket Hysenin, që vazhdon të qendrojë këtu, ndonëse është provuar se ka rrëmbyer prona në jug të Shqipërisë dhe asgjë nuk i ndodh.
  1. Kemi Arben Ahmetajn, ortak me inceneratorët, me njerëz të dënuar për krime në Belgjikë dhe vazhdon ministër e deputet i patrazuar.
  1. Kemi Damian Gjiknurin, të regjistruar në çështje penale në Dibër, duke bërë pazare me kriminelët për vota, vazhdon ministër dhe deputet.
  1. Kemi Dakon e 339-s, ku ka dalë vetëm maja e ajsbergut.
  1. Kemi, ndonëse jo në këtë sallë, shkëlqesinë e tij, Saimir Habilajn.
  1. Kemi vetë Erion Velinë, çertifikuesin e pastrimit të parave të pisëta në bashkinë e Tiranës, dhe natyrisht
  1. Kemi kreun e kësaj pune, ai (Edi Rama) që i mban të gjithë bashkë, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt në kontaktin më intensiv dhe më të shtrirë me kriminelet e Shqipërisë se gjthë këta që përmenda marrë së bashku e seçdokush tjetër në 28 vite.

Pra, kjo është gjendja. Dhe, padyshim, kjo aleancë e ngushtë e Edi Ramës me krimin është faktori kryesor ekonomik, social dhe shpirtëror të Shqipërisë.

Masa që propozojmë sot është një masë tërësisht proporcionale me gjendjen. Nuk mund të ketë e nuk do të ketë sukses asnjë reformë pa e ndarë politikën nga krimi. Nuk mund të ketë sukses reforma në drejtësi, kur të gjithë këta që përmenda kanë një dhe vetëm një qëllim: të paralizojnë institucionet e drejtësisë. T’i kapin e t’i përdorin për të shkatërruar hetimet, provat dhe dosjet e tyre hetimore.

  • Kjo po ndodh me KLGJ/KLP.
  • Kjo po ndodh me procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të paktën 14 gjyqtarë e prokurorë që duhet të ishin flakur nga procesi ivetingut, sepse kanë liruar vrasës, kanë liruar trafikantë, kanë fallsifikuar pronat e janë zhytur në korrupsion, sot, jo vetëm janë kalues në procesin e vetingut, por disa prej tyre janë anëtarë të KLGJ dhe KLP.

Nuk do të ketë sukses pra asnjë reformë, aq më pak reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore do të mbetet në letër, sa kohë që shqiptarëve një drejtësi e reformuar nuk u ka treguar akoma një politikan të korruptuar, një politikan të lidhur me krimin për ta çuar para drejtësisë dhe prapa hekurave.

Shqiptarët e kuptojnë fare mirë:

  • Pa ndarjen e politikës me krimin pasuritë e tyre do të vazhdojnë të grabiten në të njëjtën mënyrë siç i grabit sot Edi Rama me një grusht oligarkësh.
  • Pa ndarjen e politikës nga krimi dyert e Europë do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura.

Në fakt, ky është edhe plani, sepse, siç e tha fare qartë edhe një nga përfaqsuesit më të lartë gjermanë të politikës vetëm 3 ditë më parë, ndryshe nga ç’u pretendua këtu, vetingu i politikanëve duhet të bëhet, duhet të bëhet siç e ka rekomanduar Venezia, me dialog mes partive politike, bazuar në qëllimin legjitim që  ka paraqitur PD.

E pra, ja ku jemi! Venezia i ka hapur dritën jeshile dhe ju ka kërkuar ju, që jeni shprehur me gojën e Edi Ramës që javën e parë kundër vettingut në politikë, të uleni dhe, së bashku me PD, bashkë me opozitën, të punoni që ligji për vettingun e politkanëve të votohet me dialog e me konsensus nga kjo sallë.

Pretendimi se kjo ndërhyrn tek reforma në drejtësi është po kq idiot sa pretendimi se një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën qenka antikushtetuse. Nuk do të merrem me këtë se jam marrë mjaft, kur zhvilloja seminare me studentët e vitit të parë, semestri i parë Juridik, por është e turpshme që kjo vjen nga goja e Ministres së Drejtësisë.

Të nderuar qytetarë!

Këta nuk e duan vetingun për një arsye të thjeshtë. Për shumë prej tyre kjo do të thotë fundi i karrierës politike, por për Shqiprinë ky është fillimi i çlirimit të parlamentit, qeverisjes, zgjedhjeve dhe ekonomisë.

Ndaj sot, dua t’ju bëj këtë apel të fundit që ta kalojmë këtë test moral, ta kalojmë këtë vetting në vetëvete që është vota e sotme, këta që janë në të majtë, të bashkohen me ne për të votuar amendamentet kushtetuese, duke iu dhënë mundësinë, që propozimet për ligjin e vetingut t’i bëjnë vetë. Ne do t’i votjmë me një kusht: që të kenë miratimin e Komisionit të Venezias. Të gjitha t’i bëjnë vetë: mekanizmin e vetingut, proporcionalittein dhe çdo masë tjetër do të pranojmë siç do ta propozoni ju, nëse ju votoni sot amendamentin kushtetues, me një kusht, që propozimet tuaja të marrin miratimin e Komisionit të Venezias.