Mashtrimi dhe propaganda ishin veçoritë e atij regjimi, mashtrimi dhe propaganda janë arma më e fuqishme e Edi Ramës. Sot, shpallën mashtrimin e ditës së punës. Sipas kryeministrit janë 79 mijë e 980 të punësuar në 3 vite vetëm nga zyrat e punës.

Rrena më e turpshme dhe më e pamoralshme, sepse njeriu që premtoi 300 mijë vende pune, sot në fund të mandatit të tij ka për bilanc 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi i tyre në azil politik dhe në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani, Europë Perendimore dhe në SHBA.

Ky është fakt.

Fakti tjetër është i botuar nga Banka Botërore, nga Elen Goldstein, një mikeshë e kryeministrit, e cila ka firmosur qindra milionë euro kredi, që kryeministri i ka vjedhur, i ka shpërdoruar dhe abuzuar.

Kjo mikeshë e kryeministrit, shkruan në raport se në gjashtë vitet e fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, janë krijuar 300 mijë vende pune. Në gjithë Ballkanin perendimor dmth Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Kroaci, Bosnje.

Por sipas raportit në Shqipëri e Bosnje, jo vetëm nuk janë krijuar vende pune, por janë humbur vende pune. Plotë 2,4% vende pune më pak ka në Shqipëri sot, dhe 5% më pak në Bosnje.

Banka Botërore konfimon atë që cdo shqiptar e di fare mire se në Shqipëri, me Edi Ramën, ekonomia u shkatërrua, vende të reja pune nuk u krijuan, dhe vendet ekzistuese të punës u asgjesuan nga Rilindja, nga krimi, nga korrupsioni. Ky është fakt, kjo është e vërtete, dhe këtë 1 Maj dhe cdo 1 Maj, në vend që të zvarritemi në bulevardin e gënjeshtrave, ne kemi ndërtuar këtu Sheshin e Lirisë, sheshin e të vërtetës, ku të vërtetat do t’i themi ashtu siç janë.

Dhe e vërteta e tmerrshme e Shqipërisë nën Edi Ramën është se, Edi Rama me taksat e larta, me arrogancën dhe arbitraritetin e taksidarëve, me rritjen e çmimit të energjisë, dhe të naftës, me pasigurinë totale juridike dhe shkatërrimin e rendit për shkak të krimit në pushtet dhe pushtetit të inkriminuar, e rrënoi ekonominë shqiptare. Shqiptarët anembanë e dinë që në këto 4 vite Shqipëria pati një recesion total të ekonomisë që vërtetohet edhe nga shifrat kyçe që tregojnë mirëqenien e njerëzve, rënien e fuqisë blerëse, rënien e investimeve të huaja, rënien në pikiatë të investimeve në tërësi, rritjen e borxhit të keq dhe mbi të gjitha largimin masiv të shqiptarëve.

Ndërmarrjet e mëdha, e në veçanti investitorët e huaj, po shikojnë se ku të largohen e si të largohen sa më parë. Biznesi i vogël është në gjendje të paprecedentë në 27 vite, nga terrori i taksave dhe presioni, dhe e gjitha kjo shfryhet tek vendet e punës.

Para disa javësh deklaruan se do të rrisin pagën minimale nga 22 në 24 mijë lekë në muaj. Ashtu si paraardhësit e tyre, pagën kabineti Rama e rrit me dekret. Por shqiptarët e dinë mirë se pagat e rritura me dekret janë zero, nuk vlejnë! Kjo sepse pagën dhe mirëqenien e rrit ekonomia. Po nuk u rrit ekonomia, nuk rriten pagat.

Unë kam qenë në dhjetëra punëdhënës të mëdhenj dhe kam pyetur punëmarrësit dhe kryesisht punëmarrëset, sa është paga e tyre reale. Kur paga minimale me ligj ishte 22 mijë lekë, ato merrnin 150 apo 160 mijë lekë të vjetra, pra 15 apo 16 mijë lekë të reja. Kjo është paga reale!

Punonin 6 ditë në javë me orare të zgjatura, me kushte të mjera pune dhe merrnin një pagë të padenjë për realitetin gjeografik europian ku jetojnë.

Rilindja e Edi Ramës, ka vetëm një mision, dhe misioni u ka dal në shesh nga të dhënat zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit: 2.8 miliardë euro kanë vjedhur në 4 vite. 2.8 miliardë euro të buxhetit të shtetit, taksave të shqiptarëve me tendera, me koncensione, me abuzime, i kanë vjedhur në 4 vite.

E vetmja pengesë për të, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.