Në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel, u takova me përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, drejtues të politikës së jashtme dhe të zgjerimit në Parlamentin dhe Komisionin Europian, si dhe Parlamentet e vendeve anëtare.

 

Kërkova mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.  Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikishtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike.

Hapja e negociatave është e rëndësishme  pasi do të sjellë një mbikqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë.

Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore.

Punimet e Asambelesë Politike të PPE-së do të vazhdojnë dhe gjatë ditës së nesërme, ku në axhendën e diskutimit, do të jenë sfidat me të cilat përballet Evropa aktualisht dhe përgatitjet për Kongresin e PPE-së, i cili këtë vit mbahet në Zagreb.