Në 10 muaj u provua se pushteti i Edi Ramës është degraduar, kalbëzuar dhe ka falimentuar plotësisht, njësoj siç e paralajmërova. Në 10 muaj Shqipëria ka prodhuar kronika të krimit politik më shumë se e gjithë Evropa në 10 vjet.

U provua paralajmërimi se kultivimi i kanabisit do të evoluonte drejt kokainës, heroinës dhe pastrimit të parave të pista, se procesi demokratik do të zëvendësohej nga sundimi personal i Ramës, se për ruajtjen e pushtetit personal,  Rama do të zhytej edhe më shumë në krim.

Në 10 muaj shqiptarët panë sesi banka e familjes së kryeministrit po kap sektorin bankar, në një kohë kur është dhënë zyrtarisht alarmi se në bankat e Shqipërisë pastrohen para. Në Shqipëri po mbijnë kulla që po e kthejnë vendin në një lavatriçe të paprecedentë të pastrimit të parave të pista.

Në 10 muaj shqiptarët panë grabitjen e pandalshme të ekonomisë nga 5-6 klientë të Edi Ramës që kontrollojnë çdo gjë në marrëveshje me të. Në mënyrë skandaloze sistemi bankar po përqëndrohet në pak duar, sistemi arsimor në pak duar, sistemi shëndetësor në pak duar, sektori i ndërtimit në pak duar, tregtia në pak duar.

Tek përpjekja e Ramës për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar janë bërë bashkë etja e tij për para, duke zhvatur pronat publike për të ndërtuar dhe marrë pjesën e tij, me qëllim pastrimin e parave të drogës, etja për kontrollin  e të gjitha pushteteve, drejtimi autokratik që shkel të drejtat e njeriut dhe shpërbën drejtësinë.

Karriera politike e Edi Ramës është e lidhur me dy faktorë të rëndësishëm: me paratë e krimit e drogës dhe me vjedhjen me ndërtuesit të hapësirave publike të Tiranës. Si kryetar bashkie, ai e ktheu Tiranën në një lavatriçe parash të krimit, në këmbim të 20 %. Si Kryeministër garanton direkt trafikun e drogës, dhe pastrimin e parave në të gjithë vendin.

Bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin do të vazhdojë sa kohë ai të jetë në pushtet. Moshapja e negociatave ishte rezultat i krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës. Mos gënjeni veten tuaj zotërinj ambasadorë, se shqiptarët nuk gënjehen më! Peshqit e mëdhenj janë në krahun tuaj në çdo pritje zyrtare dhe në podiumin e qeverisë këtu në parlament.

Shqipëria ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por ndryshimi i parë dhe fillimi i të gjitha ndryshimeve është largimi i Edi Ramës dhe, bashkë me të, i regjimit të tij kriminal. Vetëm atëherë Shqipëria do të ketë sërish mundësinë të shohë përpara më optimizëm.