Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit përveçse dështoi politikisht e moralisht, dështoi edhe ligjërisht. Të gjithë dijnë të numërojnë deri në 50. Cdo listë, absolutisht çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme. Proçesi është në kolaps ligjor.

Askush nuk thotë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit Zgjedhor do t’i mbushin mendjen shqiptarëve që, 1+ 1 nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 49.

Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet me kërkesën për të hedhur poshtë 18 qershorin dhe listat e paligjshme, duke i dhënë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj përmes konsensusit dhe negociatave. Nëse Kolegji Zgjedhor vendos t’u thotë shqiptarëve se 17 plus 31 plus 2 bëjnë 49dhe jo 50, atëherë Kolegji zgjedhor, ligji zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së vjetër do të merren përpara nga bashkimi i shqiptarëve për Republikën e Re.

Data e vendimarrjes është data kur shqiptarët do të kuptojnë nëse fundi i republikës së vjetër do të jetë një proces konsensusi dhe shansi për gjithëpërfshirje, apo do të jetë nisja e lëvizjes popullore, për mosnjohjen mospranimin dhe rrëzimin e Republikës së vjetër përmes mosbindjes civile dhe akteve të tjera të rezistencës dhe qëndresës paqësore dhe demokratike.

Paqësore dhe demokratike. E tillë do të jetë lëvizja, marshimi ynë që do të jetë dhe akti i rrëzimit formal të republikës së vjetër.