Jetëshkrim

2017-09-22 09:55:19

Lulzim Basha lindi në Tiranë në 12 qershor 1974.

Pasi përfundoi gjimnazin Sami Frashëri, z. Basha filloi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë, ku u diplomua në të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare. Pas studimeve, z. Basha punoi për Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe më pas për 5 vjet si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë deri në dhjetor 2004. Në këtë vit, ai nisi përfshirjen aktive në politikë duke iu bashkuar Partisë Demokratike në opozitë si kordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave.

Në korrik 2005 z. Basha u zgjodh deputet i Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.

Rruga e Kombit

Në shtator 2005, Lulzim Basha mori detyrën e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, dhe nën drejtimin e tij përfundoi projekti dhe nisi zbatimi për ndërtimin e rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e cila është projekti më i madh infrastrukuror i ndërtuar deri më sot në Shqipëri. Ndërtimi i kësaj autostrade të njohur tashmë si Rruga e Kombit në një terren tepër të vështirë malor, përfshiu 27 viadukte si edhe tunelin më të gjatë të ndërtuar në Ballkan, Kalimash-Thirrë, prej rreth 6 km.

Rruga e Kombit

Anëtarësimi në NATO

Në maj të 2007, Z.Basha iu besua detyra e Ministrit të Punëve të Jashtme. Në këtë post, Z.Basha udhëhoqi një fushatë të jashtëzakonshme në të gjitha kancelaritë e botës, e cila u kurorëzua me ftesën dhe një vit më pas me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO në prill 2009. Nën udhëheqjen e z.Basha, diplomacia shqiptare loboi fuqishëm për njohjen e shtetit të ri të Kosovës.

Takim me Sekretaren Condoleza Rice

Heqja e Vizave me Europën

Në zgjedhjet vendore të 2009-ës, z.Basha kryesoi listën e PD në Qarkun e Elbasanit ku ai arriti një fitore historike. Pasi mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, z. Basha dhe ekipi i tij arriti me sukses të përmbushë të gjitha kushtet teknike për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian.

Udhetimi i pare pa viza drejt Europes

Bashkia e Tiranës

Në 8 Maj 2011 z.Basha fitoi zgjedhjet për Kryetar Bashkie në Tiranë pas një fushate model në qendër të së cilës u vendos qytetari. Ai është i pari kyebashkiak që u anagzhua plotësisht në zhvillimin ekonomik të kryeqytetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Lulzim Basha - Fushata e Zgjedhjeve Bashkiake
Nën drejtimin e tij largpamës, Bashkia e Tiranës planifikoi, siguroi financimin dhe nisi zbatimin e projektit më të madh në historinë e kryeqytetit, atë të zgjatimit të Bulevardit kryesor dhe të rehabilititmit të lumit të Tiranës. Gjithashtu, z.Basha përfundoi dhe miratoi Planin Urbanistik të Integruar të Tiranës, e cili mungonte prej vitit 1989.

Bulevardi i Ri i Tiranes

Partia Demokratike

Në vitin 2013 z. Basha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike në garën e parë të parimit “1 anëtar, 1 votë” të zhvilluar në Shqipëri. Në këtë votim morën pjesë mbi 42.000 anëtarë demokratë. Kryetari Basha nisi me njëherë punën për ristrukturimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike, me qëllim për t’u dhënë shqiptarëve një opozitë të fortë dhe të vendosur. Ai inicioi edhe procesin e modernizimit dhe hapjes të partisë dhe të fuqizimit të rolit të anëtarësisë së saj. Mbi të gjitha, miratimi i ligjit për dekriminalizimin e parlamentit shqiptar dhe konsensusi për reformën në drejtësi janë dy nga arritjet e mëdha historike për opozitën shqiptare por edhe për Shqipërinë moderne dhe Europiane.

Fjalim para anetareve

Familja

Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij Aurela kanë qënë te dy nxënës në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë. Pas gjimnazit, ajo ndoqi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë ku u diplomua për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Znj. Basha përfundoi edhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Amsterdamit për Marrëdhënie Europiane. Prej vitit 2000, ajo punon për EWPPP, një organizatë joqeveritare që ndihmon me programe demokratizuese parlamentet në Europën Juglindore dhe Euro-Azi duke perfshirë edhe Shqipërinë.

Lulzim Basha dhe Vajzat
Luli dhe Aurela janë prindër të dy vajzave, Dafina dhe Viktoria.