Republika e Re do të thotë që në kushtet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vetëm përmes një qeverie teknike që i garanton ato, në këto kushte, dhe vetëm në këto kushte, sovrani, qytetarët do të vendosin me votë të lirë. Dhe me votë të lirë edhe qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë ajo, edhe opozita e ardhshme, nuk do të kenë asgjë të përbashkët me këto që kemi sot. Sepse në kushtet e Republikës së Re, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe institucionale, do të jetë e pamundur të kemi një qeveri arrogante me qytetarin. Të kemi një shtet arrogant me qytetarin dhe servil me pushtetarin.

Do të jetë e pamundur që një qeveritar apo një kryeqeveritar që guxon t’i kryejë vendit këto mënxyra që kjo qeveri i bëri për katër vite, të vazhdojë të qëndrojë në fron, sepse Republika e Re do të ketë të gjitha instrumentat për ta rrëzuar për 24 orë cdo qeveri që tenton të dalë mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Dhe një opozitë e cila do të ketë të drejtat e plota kushtetuese dhe ligjore për të bërë rolin pa të cilën nuk mund të ketë demokraci, kontrollin e plotë, kontrollin dhe balancën e pushtetit.

Në këtë mënyrë, do të sigurojmë që kushdo që merr përsipër të shërbejë në politikë, kushdo që merr përsipër të kërkojë votën për të qenë në pushtet, apo për të përfaqësuar shqiptarët në opozitë, ta dijë se, nuk do të ketë asnjë profesion dhe asnjë punë për t’u pasuruar brenda natës, por do të jetë puna më e vështirë, më e sikletshme, më llogaridhënëse para sovranit dhe pronarit të vërtetë të këtij vendi, që janë qytetarët e Republikës së Re, janë shqiptaret dhe shqiptarët e ndershëm.

Këto parime gjejnë përkthim në shprehjet e dokumentave moderne ku Shqipëria është palë dhe ku Shqipëria ka marrë tashmë angazhime para botës. Nuk ka vende anëtare të BE-së, që nuk garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por këto parime kanë lindur me vetë identitetin europian, me konceptin e Republikës europiane. Respublica europea, apo Respublica christiana, si e njohin miqtë tanë demokristianë ku themelor është dhe mbetet dinjiteti i individit, i cili nuk mund të garantohet nga një shtet i fortë, por do të garantohet nga një qytetar i fortë dhe një shtet në shërbim të qytetarit.

Këto janë shinat mbi të cilat do të ecë ky projekt. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë investimi i parë në këtë drejtim, por ky investim do të vazhdojë hap pas hapi pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të cilat pa dyshim që qytetarët shqiptarë do t’i kenë në dorë, t’i vendosin me votën e tyre të lirë, të pacënuar, të pakërcënuar, të pablershme dhe të pashitshme.

Në emër të ndryshimit në jetët tuaja, në jetët e fëmijëve shqipëtarë të cilët do të kenë shkollat më të mira në Ballkan. Në emër të studentëve shqipëtarë, asnjëri prej të cilëve nuk do të privohet nga studimet për shkak të pamundësisë ekonomike, sapo të rrezojmë ligjin për arsimin e lartë e ta zëvendësojmë atë me ligjin e Republikës së Re.

Për të punësuarit shqiptarë të cilët do të kenë regjimin fiskal më të favorshëm njësoj si punëdhënësit, njësoj si investitorët, njësoj si të punësuarit, sepse Republika e Re do të krijojë klimën më të përshtatshme për të bërë biznes, për të bërë ekonomi. Do të hapë shtigjet për të çliruar energjitë pozitive që të kemi një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë, jo për 10 veta, por për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar të ndershëm.

Republika e re do të jetë realiteti ku pensionistët shqiptarë nuk do të trajtohen si një peshë e tepërt por si ndreri i sakrificës që kanë bërë për brezat e sotëm dhe se në krye të katër viteve, qeveria e koalicionit tonë që do të marrë mbështetje popullore, me votë të lirë dhe të ndershme pas qeverisë teknike, patjetër që do të realizojë premtimin 25 mijë lekë të reja, 250 mijë lekë të vjetra pension minimal për pensionistët shqiptarë dhe rritje të pensionit deri në 40 % anembanë fashave të pensionit.

Ne luftojmë për këto arritje konkrete dhe këto arritje kontrete janë plotësisht të mundura. Ato janë në dorën tuaj, ato janë në dorën e qytetarit të ndershëm shqiptar. Pengesa e vetme është republika e vjetër dhe shtyllat që e mbajnë në këmbë; krimi, droga, korrupsioni dhe klika politike që do të ndalë zgjedhje e lira dhe të ndershme.

Zgjidhja e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme është qeveria teknike më mbështetje të gjerë politike që do të luftojë krimin, që do të nxjerrë të inkriminuarit nga zyrat, që do të luftojë drogën, që do të organizojë zgjedhje të lia dhe të ndershme me votim elektronik dhe numërim elektonik. Pra ka punë për të bërë, mos e humbni kohën kot. Mos kini shpresë sepse ne nuk tërhiqemi. Ne do ta fitojmë këtë betejë më çdo kusht.