Produkti i Republikës së Re: Pushtetari që ul kokën para qytetarit dhe jo qytetari para pushtetarit

Asgjë nuk është më siç ka qenë para 18 Shkurtit. Shqipëria është krejt ndryshe. Frika është vrarë, kurajo qytetare është bashkuar në këtë shesh, i ka dhënë formë aspiratës për liri, për mundësi për jetë më të mirë. Eshtë një projekt që sot quhet Republika e Re që gjen konsensus, gjithmonë e në rritje jo vetëm mes mbështetësve të opozitës por mes mbështetësve anembanë Shqipërisë, gjithë qytetarëve shqiptarë. Asgjë nuk është si më parë dhe asgjë nuk do të jetë si më parë.

Një nga produktet e Republikës së Re është; pushtetari që ul kokën para qytetarit dhe jo qytetari para pushtetarit. Do të thotë një shtet ligjor i garancive për çdo individ, pavarësisht prej statusit social, ekonomik, politik, do të thotë një demokraci e vërtetë, jo fasadë ku qytetarët kanë në dorë me të vërtetë të caktojnë dhe pushojnë pushtetarët në çdo nivel dhe të vendosin mbi çështje të rëndësishme siç janë arsimi, shëndetësia, mbetjet, etj. Do të thotë, një drejtësi e vërtetë ku gjyqtarët dhe prokurorët luftojnë dhe nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare. Do të thotë, një konkurrencë e vërtetë e lirë, ku çdo qytetar në bazë të aftësive, në bazë të ideve, të mundësive ecën përpara në fushën e jetës, ndjek fatin e tij apo lumturinë e tij, apo të saj, dhe jo vetëm një grusht njerëzish që ngrysen dhe gdhihen para zyrave të pushtetit, të cilët kontrollojnë të gjithë asetet kombëtare, të gjithë tenderat publikë dhe tashmë kontrollojnë edhe tregun e zi të drogës, që e ka shndërruar Shqipërinë në një nga vendet më problematike në botë dhe numrin një në Europë, për drogën dhe kriminalitetin e lidhur me të.

Gjuha jonë, prej momentit të parë ka kërkuar të denoncojë rrezikun e jashtëzakonshëm jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratat e ardhshme, në qoftë se Shqipëria kthehet në një bastion të krimit të institucionalizuar. Jo thjesht 30 kriminelë deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë administrate, por në një Republikë ku krimi zgjedh Parlamentin, krimi zgjedh qeverisjen, krimi administron shtetin, krimi administron pronat dhe kjo do të ndodhë, është gati të ndodhë, në qoftë se do ta lejojmë, jo Partinë Socialiste, se Partia Socialiste është në koma, por Rilindjen e kriminalizuar, të zëvendësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një përballje mes partive politike në njërën anë dhe krimin në pushtet në anën tjetër. Këtu nuk ka vend më për estetikë, por për përballje, për të treguar faktet siç janë.

Në qoftë se Elvis Roshi ka përdhunuar në grup një minorene, unë do ta them këtë dhe të skuqen ata që e kanë bërë kryetar bashkie, dhe jo unë. Në qoftë se Armando Prenga ka plagosur 4 qytetarë me armë pa leje në derën e komisariatit si cub, unë do ta them këtë, dhe le të skuqet ai që e ka bërë deputet. E kështu me radhë se nuk dua të zgjatem se çështjet janë monstruoze. Pra, problemi është etika morale dhe jo estetika.