Dje paskan nxjerrë faturën time të energjisë në media. Se s’duan t’ia dinë për ligje, fare. Kur marrin faturën e kryetarit të opozitës, merreni me mend se çfarë bëjnë me faturat tuaja.

Normalisht për të marrë informacion të tillë të privilegjuar, duhet të marrësh lejen time si qytetar, dhe si kryetar i opozitës. Ky është dhunim i privatësisë, por jo, nuk duan t’ia dinë. Gjithsesi shumë mire, sepse s’kam gjë për të fshehur për faturat e energjisë.

Po pse more, për faturën time u ankova unë? Për faturën timë jam unë këtu?

Unë s’jam këtu për faturën time. Unë e kam fjalën për 75% të shqiptarëve që janë shtresa më e varfër. Këta paguajnë më shumë. Paguajnë më shumë dhe këtë s’e luan as topi.

Njerëzit që konsumojnë më pak, sepse kanë më pak mundësi, paguajnë më shumë dhe kjo është filozofia e republikës së vjetër që i trajton më të pamundurit, më të varfërit, që janë shumica e shqiptarëve jo si njerëz, por si statistika, ndërkohë që një grusht njerëzish përfitojnë nga këto para.

Kjo është shëmbëlltyra më e keqe e shtetit më të korruptuar të Afrikës, por për fat të keq ky është shteti që Edi Rama ka ndërtuar këto 4 vite në Shqipëri.