Ligji është ligj, përvecse kur duan Edi Rama dhe Ilir Meta. Kodi zgjedhor thotë se deri në mesnatën e 19 Prillit duhet të regjistrohen koalicionet. Këta e kanë futur vendin në një spirale krize politike.

Shikoni Kavajën sot. Ikën një kriminel, një përdhunues i dënuar në Itali, një trafikant i dëbuar nga Zvicra, dhe kë kandidon? Mëkëmbësin e kriminelit. Dhe në funksion të mëkëmbësit të kriminelit, cfarë bëjnë? Presion absolut, shkollave dhe gjimnazeve të Kavajë, presion absolut mësuesve, presion absolut prindërve. Pse? Sepse mëkëmbësi i kriminelit duhet të fitojë me cdo kusht, edhe kur nuk ka kundërshtarë përpara.

Kjo është fytyra e vërtetë e republikës së vjetër, e qeverisë së inkriminuar që mundohet ta mbajë atë në këmbë. Dhe, ndërkohë kërkon shtyrjen e datës së regjistrimit, për të mirën tonë.

Për të mirën e shqiptarëve, jo për të mirën e partive, zgjedhje të lira dhe të ndershme do të ketë vetëm me një qeveri teknike e cila do të luftojë krimin, e cila do të luftojë drogën dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sa për atë thënien, ti me bukë e ne me gurë, i them që nuk lahet mjalti me shëllirë. Këtë mjaltin që ka gatuar vetë, ka vetëm një rrugë që mos ta hajë të gjithin vetë, duke iu bashkuar një pakti kombëtar politik i cili një herë e përgjithmonë do të braktisë projektet e republikës së vjetër, interesat e republikës së vjetër që janë një grusht njerëzish, një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh dhe një grusht kriminelësh, dhe do të përqafojë vetëm axhendën e interesit publik të qytetarëve shqiptarë.

Ne nga ky shesh, e ofrojmë me fisnikëri, edhe pse nuk e meriton, sepse ke qenë shkaktari, arkitekti i republikës së vjetër, i republikës së krimit dhe korrupsionit.

Por harroje, se do të ketë tërheqje nga ky projekt.

Republika e Re po vjen. Republika e Re është e pashmangshme, është një realitet që e do çdo shqiptar.