Sot mirëprita zëvendës ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për çështjet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit, z.

Alexandër Arvizu, si edhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z.Donald Lu

.

Bisedën e përqëndrova tek çështjet e aktualitetit politik, në kushtet kur Departamenti i Shtetit dhe EUROPOL raportuan muajin e kaluar se gjatë vitit 2016 Shqipëria është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të marijuanës në Europë dhe në një vend kyç për trafikun e heroinës, pastrimin e parave të krimit dhe në një bazë rajonale për krimin e organizuar.

Vura në dukje se raportet e qeverisë amerikane dhe të Bashkimit Europian janë konfirmim i kriminalizimit dhe kapjes së shtetit nga krimi, ashtu sikurse Partia Demokratike ka paralajmëruar këto vite si rrezikun kryesor që i kanoset politikës, ekonomisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.

Theksova se gjendja dramatike që po kalon vendi është rezultat i drejtpërdrejtë i akteve të vetëdijshme të kryeministrit Rama, i cili përzgjodhi në Kuvend, në krye të bashkive dhe në poste të larta shtetërore persona me të shkuar kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit ndërkombëtar të drogës.

I përsërita zv/ndihmës sekretarin Arvizu dhe ambasadorit Lu, se Edi Rama minoi procesin e dekriminalizimit, projektoi kanabizimin e vendit, nuk luftoi krimin dhe nuk ka bashkëpunuar me organizmat ligjzbatuese të vendeve partnere.

Prandaj kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë as vullnet dhe asnjë mundësi të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Interesi i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij është ruajtja e pushtetit me çdo kusht.

Në këto kushte, rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës dhe parave të drogës, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.