Për 11 javë me radhë republika e Re e ka mbledhur parlamentin e saj të vërtetë të popullit, në këtë tempull të së vërtetës.

Sot mirëprita me mirënjohjen më të madhe një nga miqtë më të çmuar të Shqipërisë, një nga luftëtarët e parë e të paepur për lirinë dhe demokracinë në Europën Lindore dhe po kështu në Shqipëri, një legjendë të revolucionit antikomunist që rrëzoi diktaturën komuniste në Hungari.

Bashkëluftëtar dhe bashkëpunëtor i figurës legjendare antikomuniste pro demokracisë dhe lirisë, si kryetari i partisë simotër FIDES, kryeministrit hungarez Viktor Orban. Një njeri, me të cilin kam pasur nderin dhe privilegjin të bashkëpunoj dhe mbështetja e të cilit, nuk ka munguar ta bëjë Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe për të hequr vizat për qytetarët shqiptarë.

Mirëprita në Sheshin e Lirisë, kryetarin e komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit hungarez zotin Zsolt Nemeth.

500 vjet më parë shqiptarët dhe hungarezët luftonin sup më sup kundër një rreziku të përbashkët dhe ekzistencial për vendet e tyre, për popujt e tyre, për lirinë e tyre. Ne të gjithë e njohim dhe jemi rritur me legjendën e bashkëpunimit midis dy heronjve tanë kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe hungarezit Janosh Huniadi.

Hungarezët, ashtu si shqiptarët, e njohën brutalitetin e komunizmit më shumë se popujt e tjerë. Ata u ngritën në vitin e lavdishëm 1956 dhe kundërshtuan me forcën e bashkimit të tyre, diktaturën dhe terrorin komunist. Revolucioni hungarez i vitit ‘56 frymëzoi antikomunistët shqiptarë, për dekada me radhë.

Revolucionet paqësore transformuese të Europës dhe rënia e perdes së hekurt, na bashkoi. Por sot jemi edhe më të bashkuar në luftën tonë për demokraci të vërtetë, për liri të vërtetë, për mirëqënie të vërtetë, për qytetarët tanë.

Beteja jonë është për zgjedhje të lira e të ndershme. Beteja jonë është për votën e qytetarëve. Asgjë nuk kërkojmë për veten tonë. Asgjë nuk jemi gati të lëshojmë nga garancitë minimale për zgjedhje të lira e të ndershme.

Mesazhi i Kryetarit të Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Hungarisë, Zsolt Nemeth, sot në Sheshin e lirisë:

“Unë ju sjell sot këtu mesazhin e popullit hungarez, mesazhin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe të qeverisë hungareze dhe dua t’ju them që sot jam me ju, sot jemi me ju të dashur shqiptarë. Ju keni miq në Europë, nuk jeni të vetëm në këtë përpjekje. Dua t’ju uroj për qëndresën tuaj 76 ditore. Kjo vërteton më së miri se ju keni arritur në agimin e ri, Shqipëria ka arritur në një ditë të re.

Dhe është e njëjta luftë, që ne e kemi pasur të përbashkët. Ne kemi luftuar kundër turqve me Skënderbeun, me Janosh Huniadin, heroin tonë kombëtar në Hungari dhe ashtu siç kemi luftuar komunizmin, me Viktor Orban dhe Sali Berishën. Nuk ka qenë një luftë e thjeshtë por fitorja ka qenë e jashtëzakonshme.

Por ta fillojmë nga e para, çfarë është më e keqja në komunizëm? Çfarë e pason komunizmin?

Lufta juaj sot është me postkomunizmin. Korrupsioni i ndërkombëtarëve është sot e keqja më e madhe e postkomunizmit. Ndërhyrja e të huajve është një lloj korrupsioni politik në Europën Lindore.

Ne nuk duam të shohim në Europë një narko-shtet. Ne do të qëndrojmë dhe do t’ju mbështesim në luftën tuaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jam i bindur se do ta fitoni këtë betejë sepse e shkuara e jonë është e përbashkët, por edhe e ardhmja jonë është e përbashkët, në BE. Ne kemi një të ardhme europiane të përbashkët. Unë uroj që Zoti të bekojë Shqipërinë dhe qytetarët e saj.”