Me banorët e Unazës së Re!

Mbroni veten tuaj duke u bërë barrikadë kundër kësaj të keqeje që po ndodh këtu.

Nuk ka asnjë ligj për shembjen e shtëpive në Unazën e Re.

Iu kanë çuar lajmërim dhe iu kanë vënë kryqe me bojë tek dera për t’u shkatërruar shtëpitë. Kjo është dëshmi e rënies totale e shtetit. Nuk ka asnjë ligj dhe asnjë akt të cilin t’u jetë komunikuar familjeve, t’u jetë dhënë koha e mjaftueshme që të jetë përgatitur dokumentacioni për shpronësim, t’u paguhen paratë e shpronësimit, t’u jepet kohë për të gjetur një banesë tjetër. Familje të tëra, qindra fëmijë janë në këtë gjendje të territorit psikologjik. Brenda më pak se 48 orëve iu thonë: Ikni se do t’ju prishim shtëpitë!

Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë një projekt bashkë me një grusht oligarkësh dhe bandash që duan të pastrojnë paratë e drogës për të ndërtuar shumëkatëshe në këtë zonë dhe shkelin ligjin, shkelin Kushtetutën, për të shkatërruar shtëpitë e mbi 300 familjeve, taksapagues të rregullt, të gjithë në proces legalizimi, një pjesë prej tyre edhe të legalizuar pa iu dhënë asnjë lekë dëmshpërblim.

Në gjithë këtë skandal gjithçka është shkelur nga shteti. Nuk ka asgjë të ligjshme. Shteti ka shkelur ligjin, ministritë kanë shkelur ligjin, kryeministri ka shkelur ligjin, policia ka shkelur ligjin. E vetmja gjë e ligjshme këtu është protesta e këtyre njerëzve për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Është një e drejtë kushtetuese, e pamohueshme dhe e patjetërsueshme. E vetmja gjë e ligjshme këtu, është rezistenca e tyre.

E kam paralajmëruar kur nisi afera “Rama-Fusha” se ajo që nis me prishjen e Teatrit Kombëtar shumë shpejt do të shkojë në pragjet e shtëpive të shqiptarëve. Tani e keqja ka arritur në pragun e shtëpisë së mbi 317 familjeve. Thirrja ime është për të gjithë qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës, qytetarët e kësaj zone: Mos prisni t’ju vijë e keqja në pragun e shtëpisë tuaj! Ejani këtu, mbështesni me praninë tuaj, me mesazhet tuaja, me protestën tuaj të drejtën e këtyre fëmijëve, të këtyre familjarëve. Por po kështu mbroni ligjin, mbroni Kushtetutën, mbroni vetën tuaj duke u bërë barrikadë kundër kësaj të keqeje që po ndodh këtu.

Ashtu siç kanë qenë pranë tyre që prej ditës së parë, deputetët dhe këshilltarët e PD dhe të opozitës, ashtu do të vazhdojmë të qëndrojmë në mbështetje të tyre, në mbështetje të të drejtave të tyre, në mbështetje të ligjit dhe të Kushtetutës. Le të qëndrojmë fuqimisht këtu të bashkuar, ta sprapsim këtu dhe pastaj, po të bashkuar, të rivendosim shtetin ligjor, duke shporrur bandën që ka zaptuar qeverisjen, që i imponohet qytetarëve me dhunë dhe që, po me dhunë, do t’u shkatërrojë shtëpitë e tyre, të ardhmen e tyre, qetësinë e tyre dhe mirëqenien e tyre.

Këtu nuk mbroni vetëm shtëpitë e këtyre banorëve, por mbroni pragun e shtëpisë suaj. Këtu duhet ndalur e keqja.