Duhet të kthejmë standardin europian në çdo fushë të jetës, nga paga, shëndetësia, mbrojtja sociale, ambienti, universitetet. E kemi nisur këtë rrugëtim ka 30 vjet. Ky udhëtim ka patur zigzaget e veta, por kjo rrugë ka 6 vjet që është ndalur. Kjo derë nuk iu mbyll shqiptarëve. Ishte dështimi për herë të katërt e një njeriu, që mban peng vendin për interesat e tij. Ka tradhëtuar çdo premtim, por asnjë premtim nuk është thyer më shumë sesa premtimi për rininë, sidomos ai që ju dha para një viti. Mungesa e shpresës e ka shtyrë rininë shqiptare të gjejë zgjidhje në emigracion. 38 mijë vetëm vitin e kaluar janë larguar nga Shqipëria. Njerëzit ndihen të tradhëtuar nga kjo qeveri ndaj kërkojnë rrugën e largimit. Misioni ynë është t’u kthejmë qytetarëve institucionet, që këto institucione të punojnë për ta. Kjo nis duke ju kthyer juve votën e lirë.

Mungesa e investimeve të mëdha të huaja, si TAP-i dhe Devolli që siguroi PD 6 vjet më parë dhe që siguruan 50 mijë vende pune, është pasojë e modelit të gabuar qeverisës, që nuk promovon vlerat, por antivlerat dhe nuk garanton mundësi të barabarta për të gjithë. Zotimi im para jush dhe shqiptarëve është të rikthejmë shpresën për të ndërtuar jetën këtu në Korçën tonë dhe Shqipërinë tonë. Ndaj jam këtu, si pjesë e “Rrugëtimit për Shqipërinë, sepse për ta bërë siç duhet, duhet të dimë të dëgjojmë dhe të mësojmë.

Arsimi duhet të jetë prioriteti i çdo kombi që synon përparim. Siç është rinia sot, do të jetë vendi nesër. Vendet e përparuara mbështesin arsimin parauniveristar me buxhet në rritje. Shqipëria është i vetmi vend, ku nuk ndodh kjo. Buxheti është pasqyra e qeverisjes, por këta ende nuk e kanë publikuar. Po ju tregoj një shifër që është rrënqethëse: 120 milionë euro janë planifikuar vitin e ardhshëm vetëm për koncesionet, 10 apo 12 të tilla. Do të mjaftonin 70 milionë euro për të bërë një revolucion total për universitetet dhe arsimin e lartë. Me vetëm 35 milionë euro do të mund të financonim tarifat për studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Të njëjtën shumë ne do të dedikojmë për infrastrukturën, dixhitalizimin, trajnimin e pedagogëve, sjelljen e pedagogëve të huaj, trajnimin profesional sipas modelit gjerman – gjysma e kohës në fakultet, gjysma në praktikë. Në planin tonë, për 10 mijë më të mirët, ne do të paguajmë stazhin për 1 vit. Ja ku do t’i çoja unë dhe qeveria ime këto para sot dhe ja ku i çon kjo qeveri. 120 milionë euro, që janë vjedhje të pastra i marrin 6-7 njerëz. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ndryshojë menjëherë cilësinë e universiteteve shqiptare. Por kjo qeveri zgjedh t’ua japë këto para disa oligarkëve dhe lë rininë në mëshirë të fatit. E gjitha kjo ka vlerë vetëm nëse ne kemi arsim parauniversitar cilësor. Plani ynë është kthimi i shkollave në tempuj të mësimdhënies, jo vetëm për fasadën, por për cilësinë. Kjo kërkon mbështetje buxhetore, kërkon para. Para shumë vitesh premtuam dyfishimin e pagave të mësuesve, gjë për të cilën na tallën. Në fund të qeverisjes sonë paga ishte 2.7 herë më e lartë se kur e gjetëm, duke ndalur largimin e mësuesve.

Ne kemi një plan strategjik kombëtar për thithjen e investimeve të huaja. Nuk ka levë më të fuqishme, nuk ka prioritet më të madh, nuk ka rrugë tjetër për ta nxjerrë vendin nga kriza, përveçse të investojmë urgjentisht për një klimë të favorshme biznesi në vend. Më vjen keq që, ndërkohë që e them këtë, Shqipëria është zhytur edhe 19 vende të tjera më poshtë në klasifikimin e të bërit biznes nga Banka Botërore. Këtu nuk bëhet më biznes, këtu nuk ka më liri biznesi. Këtu biznes bëjnë vetëm një grusht njerëzish rreth e qark kryeministrit. Kjo do të marrë fund. Ne do të rikthejmë lirnë, që, çdokush që ka një ide, një projekt, të gjejë në Shqipëri klimën më të favorshme për të bërë biznes. Me uljen e taksave, do të vijnë edhe disa përfitime të mëdha. Me uljen e çmimit të naftës, me uljen e çmimit të energjisë elektrike për biznesin, do të ulet kosto e prodhimit, do të ulet kosto e shërbimit. Por do të kemi edhe disa detyrime. Po, do të ketë një rrogë minimale për shqiptarët. Kjo nuk është politikë e majtë. Është esenciale për vendin. Një familje që nuk ka rrogën minimale, është një familje e shokuar, e tronditur psikologjikisht, nuk siguron dot bukën e gojës. Nëse ka një kufi miminal për të jetuar, 160 mijë lekë të vjetra për person, do të këtë edhe një pagë miniamle. Përllogaritjet tona janë të sakta. Ulja e taksave, përfitimi që biznesi do të marrë nga ulja e taksave, do të harmonizohet plotësisht me këtë pagë minimale, që e kam deklaruar se do të jetë në vitin tonë të parë të qeverisjes, 300 euro në muaj. Kjo është për të siguruar mbijetesën dhe do të rrisë konsumin.

Duke e konsideruar gjenerator kryesor të punësimit ne kemi një plan të qartë për biznesin e vogël.

1.     Do të ketë vetëm një taksë. 0.5% taksë e xhiros vjetore. Gjithçka tjetër do të fshihet.

2.     Ndalimi i tatimorëve të hyjnë në biznezet që kanë në derë pullën e pagimit të kësaj takse.

3.     Përjashtimi nga TVSH-ja për bizneset me xhiro vjetore 140 milionë lekë. Do të përjashtoheni nga torturat me kasat fiskale, që tani po bëjnë aferën tjetër gati, me kompaninë fantazëm kroate.

Qëllimi i qeverisë sonë është t’ju lëmë të punoni të qetë dhe të jeni të lirë të bëni punën tuaj, të zhvilloni biznesin tuaj, mundësisht ta rrisni, të krijoni më shumë të ardhura, të hapni më shumë vende pune. Gjithçka që ju rëndon mbi shpinë, mbi qafë e ne xhepa, do të anulohet.