Sot, kujtojmë Azem Hajdarin dhe mikun e tij të pandarë deri në vdekje Besim Çera, në një 20 vjetor, i cili na mori njeriun por na dha legjendën, tribunit dhe heroit të demokracisë, të pavdekshiM Azem Hajdari.

E kujtojmë sot Azemin si një njeri, Azemin si prind, si bashkëshort, si shok, si mik, si qytetar.

E kujtojmë dhe e respektojmë sot Azemin si lider, si simbol të kurajës për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore.

Sot më shumë se kurrë jeta e shkurtër, por e plotë e Azemit, duhet të na frymëzojë dhe nxisë.

Azemi tregoi se para së keqes, para robërisë, para dhunës, nuk duhet heshtur, por duhet luftuar.

Por sot në mënyrë tragjike dhe epike. Azemi na bën të reflektojmë për të keqen që i vjen shoqërisë dhe Kombit, kur krimi dhe qeverisja bëhen një, kur bandat nënshtrojnë politikën dhe qytetarët.

Pushteti i lidhur me krimin është pengesa për ëndrrën e Azem Hajdarit, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Ndaj sot është dita më domethënëse që, së bashku, nga ky shesh të shprehim vendosmërinë tonë për hir të të gjithë shqiptarëve, por edhe për nder të Azem Hajdarit dhe mijëra patriotëve të tjerë, të përpjekjeve për liri, atdhe dhe demokraci se:

Ne nuk do t’i nënshtrohemi të keqes,

Ne nuk do t’i nënshtrohemi as dhunës së shtetit, dhe as dhunës së krimit.

Le të zotohemi sot para Azem Hajdarit, Zotit dhe Kombit, se ne do ta pastrojmë politikën nga krimi për t’i hapur Shqipërisë rrugën e bllokuar prej pesë vjetësh. Se në Shqipëri do të ketë edhe liri, edhe demokraci.

Azem ti je gjallë!

Ëndrra jote “Për Shqipërinë si gjithë Europa”, na udhëheq në betejën e fitores të së mirës mbi të keqen.

Lavdi përjetë Azem Hajdarit.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!