Nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve për Republikën e Re, por ka patur ka e do të ketë një gadishmëri për dialog të vërtetë që i shërben zgjidhjes.

Në këtë dialog ne vijmë me kërkesat e parashtruara nga qytetarët shqiptarë që përbëhen nga dy pjesë, dy pjesë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën.

Hapi i parë është qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike.

Mandati i kësaj qeverie ka të bëjë me zbatimin deri në fund të ligjit të dekriminalizimit për të larguar kriminelët nga institucionet shtetërore, nga parlamenti, nga bashkitë, për ti larguar ata që nuk na ranë nga qielli, as nuk i gjeti në Partinë Socialiste, por i solli Edi Rama për pushtetin e vet dhe i mban për pushtetin e tij në krye të vendit, në krye të punëve.

Së dyti, luftë të vendosur dhe të vërtetë kundër drogës që deri para një muaji nuk e shihte, se nuk ekzistonte, nuk e shihte as ai, as ish Ministri i tij i Brendshëm, as Ministri i tij aktual i Brendshëm, as miqtë e zhages nuk e shihnin drogën.

Ne jemi për një zgjidhje me dialog.

Dhe së treti, kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, reformë të plotë zgjedhore, votim elektronik, biometrik dhe numërim elektronik.

Ne 24 orët e fundit, pazari i peshkut që është qelbur nga koka, nga Konispoli në Vermosh, nga Bilishti në Rodon, ka filluar manovrat që mendojnë se do e nxjerrin në breg republikën e vjetër që ua ka marrë e po ua merr lumi përditë. Pazari i peshkut mendon se tani që nuk po ia del dot faqe kurajos dhe bashkimit qytetar, do të negociojë me opozitën, me ne, politikanët e opozitës, një pazar politik që të mbajë në këmbë republikën e vjetër, dhe ti shesë qytetarëve sapunin për djath dhe kjo përbëhet nga dy platforma.

Platforma e pare, është hajde ti bëjmë edhe luftën kundër drogës edhe luftën kundër krimit edhe kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, po hajde se i bën Ed Rama këto. Pra njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, sa i përket sasive të drogës, se në Kolumbi drogën e bëjnë të gjitha palët, kurse këtu drogën e kontrollon Edi Rama dhe çeta e tij, ajo që e solli në pushtet, pra, ky që e mbushi Shqipërinë me drogë, tani do besimin tonë se mund të luftojë drogën dhe paratë e drogës. I zoti i zhages, thotë do ta hedh zhagen në lumë.

Së dyti, njeriu që solli kriminelët në pushtet që e detyruam të bënim ligjin për dekriminalizimin me ndihmën e partnerëve tanë europianë, që sot u thotë botërisht, aleatit të vet dhe ambasadorëve, që jam bërë pishman që kam kaluar ligjin për dekriminalizimin, kërkon që shqiptarët ta besojnë se tani do ta zbatojë ky ligjin për dektriminalizimin, tani që e ka lakun në fyt nga ky bashkim popullor dhe vendosmëria juaj për ta spastruar politikën nga kriminelët.

Dhe së treti, njeriu që shkatërroi katër palë zgjedhje, Korçën e mbani mend, zgjedhjet e 2015, Dibrën dhe Kolonjën, ky do na garantojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Sigurisht, që nuk ka njeri që e beson, as të vetët nuk e besojnë.

Rruga tjetër, thotë, hajde të bëjmë qeveri teknike dhe shkojmë në zgjedhje me 10 korrik. Pra, qeveria teknike fasadë. 10 korrikun po e them sepse po e qarkullojnë këtë ide, që do tw shpërndajmë parlamentin, se nuk zgjedhim presidentin, do futemi në krizë kushtetuese, dhe kushtetuta mbi të gjitha.

Qeveri teknike, po a e ka kjo qeveri teknike kohën e mjaftueshme për të zbatuar mandatin e saj që shqiptarët me të vërtetë të votojnë të lirë nga krimi, nga droga, që kartat e tyre të identitetit të mos blihen dhe të mos mblidhen? Sigurisht që jo.

Asnjëra dhe as tjetra veç e veç nuk bëjnë fajde. Të dyja bashkë, është oferta e lëvizjes më të madhe kombëtare për demokraci të vërtetë, për liri të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë. Të dyja bashkë po, e bëjnë punën.

Ndaj, tash 62 ditë, ftesa jonë është kjo; së bashku, pavarësisht se kush i ka përgjegjësitë, ti japim fund e ta varrosim republikën e vjetër, këtë fasadë të komplotit kundër shqiptarëve, kundër xhepave të tyre, kundër punësimit të tyre, kundër shëndetësisë dhe arsimit të tyre dhe të hapim rrugën për një Shqipëri europiane me një pakt kombëtar të Shqipërisë europiane.

Tani populli e kupton dhe nuk ka nevojë për Fakultet Juridik. E kuptojnë qytetarët, natyrisht e kuptojnë dhe juristët dhe studentët e shkencave politike këtë që do them tani. Kushtetuta e Shqipërisë dhe kushtetutat e vendeve të tjera, ekzistojnë vetëm për të mbrojtur liritë dhe të drejtat natyrale dhe hyjnore të qytetarëve të tyre. Liritë dhe të drejtat e qytetarëve sic e ka thote Thomas Jefferson jane vetëevidente, të dhëna nga Zoti. Kushtetuta është instrument për ti garantuar ato.

Por të drejtat e qytetarëve dhe ndër to, e drejta për të zgjedhur me votë të lirë të pakërcënuar nga krimi e nga droga, të pableshme nga zuzarët e korrupsionit, është një e drejtë e cila qendron mbi cdo normë ligjore, dhe çdo normë ligjore, përfshirë Kushtetutën, ul kokën para të drejtës se qytetarëve për të vendosur me votë të lirë qeverinë e tyre.

Liria e qytetarëve është themeli, liria dhe të drejtat themelore të qytetarëve të republikës, janë themeli për të cilat Kushtetuta vepron si mburojë dhe jo si alibi.

Për të mbrojtur këto liri, ekziston Kushtetuta, dhe nuk janë këto liri për tu sakrifikuar për hir të Kushtetutës apo çdo parashikimi tjetër ligjor. Këto të drejta janë vetëevidente, thotë Thomas Jefferson.

Janë të drejtat tuaja me të cilat keni lindur, pavarësisht se i shkeli diktatura, për një pjesë tuajën. Keni lindur dhe ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës tuaj. As nuk i jep as nuk i merr, as Edi Rama, dhe askush tjetër.

Ndaj të jeni fare të qartë. Zgjidhja e vetme që garanton bashkëekzistencën demokratike që garanton bashkëjetesën demokratike e cila sot kercenohet nga krimi, nga droga, që janë projektet elektorale te Edi Rames, zgjidhja e vetme, është qeveria teknike me mandatin popullor për të luftuar pikërisht drogën dhe për të garantuar votat e shqiptarëve dhe për të nxjerrë kriminelët nga qeverisja e vendit.

Dialog, absolutisht për të arritur këtë, dialog me zemërgjerësi për gjithëpërfshirje. Ne kemi zemërgjerësi që çdokush që pendohet, ti themi mirësevjen në Republikën e Re. Përndryshe, ajo që nisim të hënën, ajo që bashkë nisim të hënën, do të jetë vetëm paralajmërimi i parë se ne, nuk kthehemi nga kjo rrugë pa fitoren totale të kauzës qytetare.

2017 do të jetë viti i fundit i krimit në pushtet dhe i pushtetit të bërë njësh me krimin. 2017 do të jetë hera e fundit që shqiptaret luftojnë për zgjedhje të lira e të ndrshme. 2017 do të jetë viti i fundit për drogën dhe drogmenët kudo ku janë.