Qytetarët e lëvizjes më të pathyeshme që historia 27 vjeçare e Shqipërisë ka prodhuar për liri e demokraci dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, i përshëndes dhe i uroj, në këtë ditë të 75 të rimarrjes në dorë të fateve tona dhe themelimit të Republikës së Re nga qytetarët, prej qytetarëve dhe për qytetarët.

Sot, përfaqësuesit e republikës së vjetër dhe përfaqësuesit e Republikës së Re u ulën në tavolinën e Presidentit Nishani, pas ftesës së tij për të gjetur një zgjidhje me dialog të krizës së rëndë politike, elektorale, ekonomike dhe të gjithanshme, që është produkti i vetëm i katër viteve të qeverisjes së dështuar, inkriminuar dhe korruptuar të Edi Ramës dhe çetës së tij mafioze në pushtet.

Unë shkova në këtë tryezë ashtu siç i’u premtova ju, me vullnetin e plotë e të palëkundur, për të mos kërkuar, pranuar dhe marrë asgjë për përfitime politike të miat, Partisë Demokratike dhe opozitës. Po kështu, për të mos lëshuar asgjë nga të drejtat legjitime të qytetarëve shqiptarë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për votën e lirë si themeli i vetëm i bashkëjetesës demokratike sot e tutje në Shqipëri.

Unë shkova po kështu, me zotimin e marrë para miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e në veçanti familjes tonë politike PPE, Presidentit Daul, Komisionerit Hahn, njëkohësisht nënkryetarit të PPE, se Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk do të lëmë asnjë mundësi pa eksploruar për një kompromis dhe një marrëveshje politike, me kushtin e vetëm e të patjetërsueshëm, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dy janë kollonat e vullnetit politik, pa të cilat asnjë mekanizëm nuk funksionon.

As ndryshimet në kodin zgjedhor, as ndryshimet në kodin penal, për të penalizuar me ndëshkime më të rënda ligjore shit-blerjen e votës apo fotografimin e saj, apo transfertat e dyshimta të parave gjatë fushatës elektroale, apo të tjera ndryshime që kanë të bëjnë me median, me struktrën institucionale të zgjedhjeve, asnjë nga këto nuk kanë vlerë nëse janë në dorë të të njëjtit mekanizëm, që për katër vite e ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe në të vetmin vend në Europë ku kriminelët që duhet të ishin në burg, janë deputetë, janë kryetarë bashkish, janë drejtorë policie, drejtorë doganash, drejtor taksash dhe drejtorë të tjerë të administratës dhe kupolës politike të republikës së vjetër.

Kemi ofruar sot në tavolinë gjithçka që Partia Dmekratike dhe opozita mund të ofrojnë për zgjidhje, pala tjetër është tërhequr edhe nga propozimet e javës së kaluar, që vetë i loboi dhe që në vetvete ishin shumë më pak se çmund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë.

Sot, Edi Rama vulosi faktin, para partnerëve ndërkombëtarë se ai jo vetëm është pengesa e vetme, por se nuk ka asnjë argument qenësor.

Tani që ballafaqimi i argumentave dhe i forcës së argumentave tregoi se kush do zgjidhje për shqiptarët, se kush vendos interesin e qytetarëve para interesit politik dhe personal, tani që forca e argumentave tregoi superioritetin total të kësaj kauze popullore, Edi Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse argumenti i forcës së kriminelëve të hurit dhe të litarit, që për të, mund të jenë burra të mirë dhe padyshim që për të, të mirë kanë qenë sepse me ta e mori pushtetin, me ta e menaxhon pushtetin, me ta dëshiron ta mbajë pushtetin përkundër dëshirës dhe vullnetit të shqiptarëve.

Një pengesë pa argumente, i pajisur vetëm me argumentin e forcës së krimit dhe paligjshmërisë, ky është Edi Rama, por përballë ka një forcë të pathyeshme, përballë ka vendosmërinë e bashkuar të çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershme për t’i thënë: Mjaft më arrogancës! Mjaft më krimit! Mjaft më drogës!

Se kjo është koha për të marrë në dorë fatet tuaja, fatet tona dhe se kjo është koha për të mos pranuar, por rrëzuar me forcën e bashkimit popullor çdo pengesë, që qëndron mes mjerimit dhe varfërisë së sotme të shqiptarëve dhe shpresës për një Republikë të Re të demokracisë së vërtetë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ekonomisë së fortë dhe të nesermës së sigurtë për çdo shqiptar.

Ai nuk e di se përballet jo thjesht me një lëvizje popullore që proteston tash 75 ditë në formën e qindra-mijë qytetarëve, por përballet me shpresën e çdo shqiptari të ndershëm se kjo është koha për një ndryshim të madh dhe rrënjësor në jetët tona.

Pa zgjidhje për krimin e veshur me pushtet dhe drogën e paratë e drogës, pa zgjidhje të vërtetë, zgjidhje poltike, siç theksuan miqtë tanë mbrëmë, nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri !

Ndaj, si i thashë në fund të takimit sot, i përsëris thirrjen ti thërrasë mendjes. Të kuptojë se kriza shqiptare, e konfirmuar botërisht që ka për bazë drogën, krimin dhe shtetin e njesuar me pushtetin, nuk zgjidhet me dokrra, nuk zgjidhet me fake news, nuk zgjidhet me gënjeshtra që hedh nga Brukseli në Uashington, nuk zgjidhet me deklarata të paguara, sado shtrenjt i paguan, por zgjidhet vetëm në qoftë se shqiptarët e konsiderojnë të zgjidhur, vetëm nëse shqiptarët e konsiderojnë të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme.

Qeveria teknike me mandat për të larguar kriminelët nga politika, për të larguar drogën dhe për ti dhënë shqiptarëve reformën zgjedhore përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik, është rruga e ndershme për të kthyer Shqipërinë në binarët e normalitetit dhe për të siguruar bashkëjetesën demokratike.

Me fatet e shqiptarëve nuk mund të luhet më. Me popullin nuk mund të luhet më.