Kundërpropozimi ynë në takimin e dytë në tryezën e thirrur nga Presidentit Nishani ka qenë i qartë. Përbëhet nga dy kollona.

Kollona e parë është një qeveri teknike me mandat pikërisht për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit dhe drogës në zgjedhjet e adhshme, për ti dhënë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kolona e dytë është eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve nga momenti i marrëveshjes politike, të realizohet votimi elektronik biometrik për të cilat ka munguar tërësisht vullneti politik.

Zgjidhja politike vjen përmes vullnetit politik, i cili duhet të ketë si premisë kuptimin e gjendjes ku është vendi. Duhet të ketë si premisë pranimin e gjendjes së krimit dhe drogës në vend dhe vetëm mbi këto baza mund të shkohet drejt një zgjidhje me dialog.

Ne kemi paraqitur dy shtylla dhe nga ky propozim nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Jam i gatshëm që çfarëdo që Partia Demokratike dhe unë personalisht mund të ofrojmë, ta ofrojmë në funksion të zgjidhjes që duhet të jetë për qytetarët. Por, ajo që nuk mund të bëjmë, është që t’u japim qytetarëve alibinë se do kenë mundësi të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar, kur kërcënimi nga droga, krimi dhe një administratë e marshuar nën urdhëra politikë, janë realiteti, si ka qënë në këto 3 vite e gjysmë në të gjitha proçeset elektorale.

Propozimi ishte i detajuar.

Nëse do të kishte një marrëveshje politike, propozimi im ishte fare i thjeshtë.

– Nisur nga momenti i marrëveshjes politike, brenda 3 javëve të eskploronim nëse votimi elektronik do të ishte i mundur brenda një periudhë 6 mujore.

– Nëse do të ishte i mundur, atëhere të veprohej menjëherë, sepse kjo në vetvete ndonëse duket si një zgjidhje teknike, ofron garanci politike për një numër problemesh që ju i njihni fare mirë siç është tjetërsimi i kartave të identitetit, sekuestrimi i tyre nga krimi apo nga shumat e parave, kartat e identitetit falso, votimi i shumëfishtë, votimi tjetër për tjetër dhe i gjithë presioni i një ushtrie prej 40 mijë mijë militantsh.

– Qytetarët votojnë në një dhomë pa komisionerë të partive politike, vetëidentifikohen dhe në momentin e votimit të qytetarit të fundit, rezultati kombëtar shpallet para qytetarëve.

Asgjë nuk do të ndryshojë nëse opozita tradhëton këtë kauzë qytetare për hir të interesave të saj të ngushta politike. Gjithçka do të ndryshojë vetëm nëse ne qendrojmë të bashkuar në këtë betejë për ti dhënë shqiptarëve një republikë me të vërtetë të qytetarëve dhe jo të politikanëve dhe aq më pak të krimit, drogës dhe korrupsionit.