Takimi ishtë për fat të keq një përsëritje e takimit të djeshëm. Zoti Rama erdhi në tryezë pa asnjë ofertë, përveç mos-ofertës së takimit të djeshëm, i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të kuptuar e njohur krizën e rëndë politike në vend.

Mosnjohja e dy problemeve, tashmë ndërkombëtarësisht të njohura, dhe të pranuara si kërcënim ekzistencial për votën e lirë të shqiptarëve, përbën një mospremisë për zgjidhje.

Nëse nuk pranohet nga pala tjetër se kriminelët në pushtet, të cilët në shkelje dhe dhunim të ligjit të dekrimializimit vazhdojnë të mbajnë pushtetin e tyre, nëse nuk pranohet problemi i madh dhe kërcënimi që vjen nga droga dhe paratë e drogës, për mundësinë që qytetarët shqiptarë të shprehen të lire, atëherë si mund të vihet në një zgjidhje realiste për krizën e rëndë politike.

Zgjidhja e ofruar sipas kryeministrit, nuk është një zgjidhje politike.

Monitorimi, në radhë të parë, është detyrë e institucioneve të monitorimit dhe ai nuk mund të kufizohet vetëm në çështjen e keqpërdorimit më masiv të shtetit, punonjësve të shtetit të cilët marshojnë me urdhra dhe kërcënime në mitingjet paraelektorale të Edi Ramës.

Nëse ne pranojmë të jemi alibi e këtij procesi, shqiptarët do të detyrohen në të njëjtën mënyrë për të votuar jo si qytetarë të lire, por si skllevër të një shteti të bërë njësh me pushtetin, të kërcënuar nga krimi dhe kriminelët me pushtet, e të kërcënuar nga paratë e drogës.

Pa njohjen dhe pranimin e kërcënimit jetik për demokracinë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme nga krimi në pushtet dhe nga droga, nuk mund të ketë asnjë premisë për të kërkuar dhe gjetur sëbashku zgjidhje.

Vullneti politik i Partisë Demokratike, i opozitës dhe i imi nuk ka munguar në asnjë çast. Vullneti politik i palës tjetër vihet në dyshim në momentin që nuk pranon përgjegjësinë për situatën e vendit, për krizën politike, dhe e trajton atë si një krizë partiake, kur gjithë bota flet për një krizë politike, por, as nuk pranon të njohë problemet kryesore që e sollën Shqipërinë në këtë krizë politike.

Prandaj, gjykoj se e vetmja rrugë përpara është njohja e krizës ku gjendet vendi nga pala kundërshtare, nga pala tjetër politike në këtë proces, me një sens realiteti, në radhë të pare.

Në radhë të dytë është njohja e faktorëve të kësaj krize, të kapjes së shtetit nga interesat e krimit dhe drogës, të koncesioneve dhe tenderave dhe trajtimit të shtetit si pronë private, që sjellin edhe varfëri, papunësi, shërbim shëndetësor në kolaps, sistem arsimor në kushte jashtëzakonisht të pavaforshme për fëmijët dhe studentët shqiptarë, ekonomia në ngërç që jo vetëm nuk prodhon më vende pune dhe paga dinjjtoze për njerëzit, por është në procesin e shkatërrimit të biznesit të vogël, përmes falimentimit, nxjerrjes në rrugë të njerëzve nga të gjithë kompanitë në kushtet e një asfiksimi ekonomik.

Të gjitha këto, janë produkt i një shteti të kapur nga krimi dhe droga. Tani synohet edhe kapja e zgjedhjeve.