Duke nisur nga dita e sotme, republika e vjetër dhe Republika e Re, këto dy realitete të papajtueshme me njëra tjetrën, janë në një betejë totale për jetë a vdekje me njëra-tjetrën.

Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjesuar pluralizmin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, parlamentin fasadë që do të pjellë ekonominë fasadë, me papunësi, mjerim dhe vuajtje pas asaj fasade, nëse kjo ndodh, atëherë më 18 Qershor, në mesnate, kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër për Republikën e Re do të jenë të pavlefshme, do të jenë nul dhe void, dhe më 19 Qershor asnjë qytetar i lirë shqiptar, që e ndjen veten pjesë të Republikës së Re, nuk duhet të paguajë asnjë taksë dhe nuk do ti bindet asnjë ligji të republikës së vjetër.

Bashkë me qytetarët e lirë ne do të shfrytëzojmë këtë kohë për të nisur krijimin e korpusit institucional ligjor dhe kushtetues të Republikës së Re, bazuar në parimet themeluese të SHBA dhe vendeve demokratike europiane që do të jenë Kushtetuta dhe ligjet e vetme të vlefshme për qytetarët e Republikës së re.

Nuk kemi cfarë të presim më. Gjithcka është e qartë. Republika e vjetër do të bëjë gjithcka që të qëndrojë në këmbë. Që të qëndrojë në këmbë, i duhet të zhvasë e të përvetësojë akoma më shumë, para, pasuri, koncesione, tendera nga xhepat e shqiptarëve dhe pasuritë tona kombëtare, i duhet të mbështet gjithmonë e më shumë te droga krimi e tek trafikantët që e sollën dhe po e mbajnë në pushtet, e po investojnë ta mbajnë kundër vullnetit popullor.

Të qëndrosh skllav i këtij realiteti, do të thotë pranosh pa vepruar tiraninë e krimit dhe të drogës, tiraninë dhe diktaturën e re, antikushtetuese, antiligjore dhe që drejtohet kundër lirive dhe të drejtave të cdo shqiptari.

Një herë kjo ndodhi, dhe për 50 vite me radhe, Shqipëria mbeti në errësirën e diktaturës, e izoluar e varfëruar, e paditur, e përbuzur. I zgjuar nga ky gjume 50 vjecar, kombi shqiptar, shoqëria shqiptare e pa veten në fund të Europës, në mes të Afrikës në mes të mjerimit.

27 vite sakrifica të shqiptarëve të ndershëm , 27 vite sakrifica të burrave dhe grave, të majtë e të djathtë, 27 vite përparim me synim ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, megjithëse zigzaget e veta, me gjithë të mirat që janë pjesë dhe kontribute edhe e kundërshtarëve tanë politike, megjithë gabimet që janë pjesë edhe e jona, Shqipëria ka ecur përpara.

Sot, kjo klikë do ta ndalë këtë progres, ta kthejë Shqipërinë në një republikë të kontrolluar nga droga dhe krimi me një fasadë demokraci, me një fasadë parlament dhe një popull të skllavëruar.

Vendimi popullor i 18 Shkurtit prandaj u mor, që ky stacion të mos rikthehej kurrë më në historinë tonë kombëtare. Ndaj, vendosmëria dhe qëndresa jonë ka tashmë këtë synim, këtë objektiv; që kurrë më të mos kthehemi pas. Dhe nuk do të kthehemi.