Qytetarëve protestues, mbarë shqiptarëve, anëtarë të levizjes më të madhe kombëtare, qytetare për demokraci dhe liri të vërtetë dhe po kështu miqve tanë demokristianë, ju sjell të freskëta përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta nga përfaqësuesit më të lartë politikë, të familjeve tona simotra, të Romës në Itali.

Sa më takon mua unë e di se në këtë projekt Partia Demokratike, Partia Demokristiane, PBDNJ, koalicioni ynë i madh, shkon me vendosmërinë për të korrur një fitore të thellë dhe të jashtëzakonshme në emër të projektit të Republikës së Re dhe në emër të një ndryshimi të vërtetë dhe jo fasadë.

Sot në këtë agorë, kemi përfaqësues të aleatëve tanë, Partisë Demokristiane, kryesuar nga Nard Ndoka, të Mhill Gecit, që po kështu përfaqëson një tjetër formacion demokristian, kryetarit të Partisë së Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, të intelektualëve që kanë lënë gjurmët e tyre këto 27 vite ndryshim, si Frrok Cupi dhe të gjithë miqve të tjerë.

E vetmja forcë që do mund të rrëzojë republikën e vjetër të krimit janë qytetarët shqiptarë, se qytetarët shqiptarë janë çuar njëherë me 18 shkurt dhe nuk do të ulen më deri në fitore. Se sot jemi shumë më shumë se më 18 shkurt dhe nesër akoma më shumë.

Ndaj le ti hapë rrugë dialogut. Ti thërasin mendjes. Ti hapin rrugë dialogut përndryshe sheshet dhe rrugët e Shqipërisë do të pushtohen nga armata paqësore e qytetarëve të republikës së re.