28 vjet më parë kanceri ishte komunizmi. Sot kanceri është krimi, që Edi Rama e përdor si vegël për të mbajtur pushtetin. Kur flas për largimin e krimit nga politika, kam parasysh vetëm një gjë: largimin e Ed Ramës.

Krimi dhe droga e lidhur me qeverinë ka izoluar Shqipërinë, ka shkatërruar tregun, konkurencën, imazhin e vendit. Simboli i izolimit është moshapja e negociatave. Vetëm çlirimi i politikës nga krimi na çon tek hapja e negociatave.

Për ata që pranojnë të investohen në mënyrë donkishoteske për alibinë e Ramës, që mendojnë se problemet zgjidhen, kur opozita dhe qeveria të bëjnë valsin e lumturisë, ta harrojnë! Janë fare out dhe u ka mbaruar koha. Partia Demokratike nuk bashkëpunon me qeverinë e krimit dhe të drogës.

PD ka një detyrë. T’i prijë opozitës, t’u prijë qytetarëve dhe të largojmë krimin nga politika. Të largojmë Edi Ramën nga qeveria. Zgjidhja jonë politike për shqiptarët është largimi i Ramës një orë e më parë. Sa më shpejt ta largojmë, aq më e ulët fatura për shqiptarët, aq më shpejt do të hapet rruga e integrimit.

Siç do të çlirojmë politikën nga krimi, do të çlirojmë ekonominë nga 5 oligarkë që, bashkë me Ramën kontrollojnë sot Shqipërinë. Me PD kjo do të marrë fund. Gjithçka që kanë marrë me kontrata abuzive, korruptive apo me ligj si ky i Teatrit,  ne do ta zhbëjmë.

Le t’ia themi të gjithë së bashku: Edi Rama je hajduti më i madh në 28 vite. Paratë e drogës, paratë e krimit, paratë e shqiptarëve i ke përdorur vetëm për pushtetin tend. Ne do t’ua kthejmë ato qytetarëve.

Me ligj duan ta marrin teatrin, por nuk do t’I lejojmë. Në qoftëse hedhin këtë hap, do të përballen me vendosmërinë totale të opozitës në Parlament dhe të qytetarëve.  Ajo që na takon sot, është përballja deri në fitoren e demokracisë, e shtetit të së drejtës.