Unë Lulzim Basha, ju garantoj si kryetar i Partisë Demokratike se ne do përmbyllim kalvarin 27 vjeçar. Do t’i jalim fund harresës dhe shtrembërimit të historisë. Do zbatojmë standardet më të forta europiane për të vënë dinjitetin e të përndjekurve, nderin e shoqërisë së lirë, në vendin që u takon dhe duke u kujdesur që persekutorët, të paktën në histori, të marrin atë që meritojnë. Sa kohë që ky nuk është një realitet ligjor dua të garantoj çdo shqiptare dhe çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, që një ndër tre kriteret bazë për përfaqësuesit e ardhshëm të Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë, do të jenë: Dosjet e pastra nga lidhjet me krimin, dosjet e pastra nga korrupsioni dhe dosjet e pastra nga e kaluara si bashkëpunëtorë apo si xhelatë të diktaturës komuniste. Grupi i ardhshëm Parlamentar i Partisë Demokratike do të mishërojë kështu virtytet më të mira si garancia e vetme për t’u përballur dhe për të çuar përpara kauzën e një shoqërie me të vërtetë europiane.