Unë Lulzim Basha, theksoj se e vetmja forcë, i vetmi rrezik, e vetmja mundësi për tu përballur me këtë gjendje aktuale, me këtë republikë të vjetër, me këtë komplot politik dhe ekonomik ndaj gjithsecilit prej shqiptarëve të djathtë e të majtë, e vetmja forcë për tu përballur, e vetmja forcë që mund ta ndalë, e vetmja forcë që mund ta përmbysë, jeni ju, është bashkimi i qytetarëve shqiptarë.

Ja pse bashkimi popullor i 18 Shkurtit dhe protesta non-stop nga çadra e lirisë është mankthi dhe tmerri i Edi Ramës dhe i kupolës së republikës së vjetër. Sepse për herë të parë në këto katër vite shfaqja me kukulla ka marrë fund dhe populli është bashkuar për të marrë në dorë fatet e tij.

Për herë të parë, interesat e republikës së vjetër kërcënohen, kërcënohet pushteti i tyre.

Sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk nuk do të hyjë dhe as nuk do të pranojë dhe as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për republikën e vjetër, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar.

Se Partia Demokratike është këtu me një zotim për ti dhënë shqiptarëve zgjedhje për qytetarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për republikën e re. Kjo betejë ka ardhur duke u ngritur nga dita në ditë dhe sot e gjithë këtë javë ndodhemi në një javë vendimtare të zhvillimeve.