Në 4 vite ndërsa shqiptarët zhyteshin në mjerim, ndërsa shqiptarët nxirreshin nga vendet e punës që mbylleshin për shkak të rilindjes, ndërsa shqiptarët merrnin rrugët e emigracionit, një grusht njerëzish më në krye Edi Ramën janë pasuruar në mënyrë marramendëse.

Ky grusht njerëzish, përbëhet nga ministra dhe pushtetarë, përbëhet nga oligarkë dhe kriminelë. Dhe është ky grusht njerëzish, ky grusht njerëzish që do me çdo kusht të mbajë kontrollin dhe pushtetin përmes zgjedhjeve të manipuluara të 18 qershorit.

Ky grusht njerëzish dhe shefi i tij, dje na paskan dhënë një ultimatum, se kemi 48 orë për t’u bërë edhe ne pjesë e fasadës, pjesë e alibisë, pjesë e teatrit të kukullave.

48 orë që opozita të bëhet alibia e teatrit të kukullave që do të vazhdojë vjedhjen dhe batërdisjen e shqiptarëve, që asgjë të mos ndryshojë, që kriminelët të vazhdojnë të jenë në Parlament, në krye të bashkive, drejtorë të administratës, që ligji të shkelet me të dyja këmbët, që pasuritë të vazhdojnë të grabiten dhe që opozita të jetë fasada e kësaj shfaqjeje të shëmtuar.

Përgjigja ime është kjo: Ke 48 ditë para se të shpallim luftën totale për asgjesimin e republikës së vjetër!

Mosbindja civile, bashkimi i shqiptarëve në çdo formë dhe mjet paqësor e demokratik, i cili do të përshkallëzohet duke nisur me datën 7, në çlirimin e Kavajës, kryeqytetit të lirisë dhe demokracisë, nga vjedhja, krimi dhe droga;

Mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar në 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë më krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta.

Sot në KQZ, që është diskredituar si një instrument partizan antiligjor, antikushtetues, është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor. Eshtë koalicioni i 2015-ës, edhe ai nuk është i plotë. Një subjekt zgjedhor. Dhe tani për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, pretendojnë se janë 17 subjekte zgjedhore. Koalicioni i turpit me në krye Edi Ramën, me Ilir Metën, me mercenarët e tyre si, Bamir Topi, si Ben Blushi, si Gjergj Bojaxhi, janë një dhe vetëm një.

Shqiptarët do t’i refuzojnë me mosbindje civile. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, me asnjë mënyrë. Kur nuk ia doli dot Ramiz Alia, nuk do ia dalë dot Edi Rama.

Nuk ka zgjedhje me 18 qershor edhe për faktin e thjeshtë, se edhe formalisht këta i dogjën afatet. Listat i dorëzuan 24 orë me vonesë. Ky me të vërtetë nuk është një kriter themelor, por është një kriter ligjor; o ka ligj o s’ka ligj. Nëse ka ligj, këta e kanë shkelur ligjin. Asnjë parti, asnjë kandidat për deputet nuk është regjistruar sipas ligjit. Këto mund të jenë zgjedhjet e pazarit të peshkut, por kurrsesi jo, zgjedhjet e shqiptarëve. Edhe formalisht, edhe ligjërisht janë të pavlefshme.

Prej ditës së hënë e tutje, do ta shtrijmë anembanë Shqipërisë mosbindjen civile dhe lëvizjen e madhe popullore, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të kulmuar me 18 qershor. Edi Rama nuk do të qeverisi dot asnjë orë të vetme pas 18 qershorit. Lëvizja popullore e bashkuar është totalisht e vendosur për Republikën e Re, ndaj ke vetëm një rrugë, bëhu pjesë e zgjidhjes ose shporru bashkë me republikën e vjetër.

Qytetarët nuk do të kthehen pas.