Republika e Re është reformë e thellë kushtetuese që kufizon pushtetin e kryeministrit.

Që kufizon pushtetet e kryetarëve të partive dhe e delegon këtë pushtet tek i zoti i punës që është qytetari dhe populli shqiptar.

Republikë e Re nuk është thjesht qeveri teknike, Republikë e Re janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, patjetër me votim elektronik, me votim biometrik elektronik dhe numërim elektronik, ku as militantët, as kriminelët nuk do të kenë mundësi të tjetërsojnë votën e askujt, as të djathtë, as të majtë.

Republikë e Re është çlirim i ekonomisë nga oligarkët, nga monopolet, nga ato isntrumente që zgrapin një mijë euro për frymë në tre vjet, nga xhepat tuaja, nga tavolinat tuaja, duke u kredhur në mjerim, në papunësi, në pacientë të pashëruar, në të rinj të paarsimuar, në një komb dhe një shoqëri të tërë pa shpresë.

Që të marrë fund kjo, do të asgjesojmë monopolet, oligarkët dhe do të rikthejmë konkurencën e lirë mes qytetarëve, mes bizneseve, si standardi i lartë i shoqërive të lira, si i vetmi standard europian ku çdokush të ketë mundësinë të fitojë me djersën e ballit, jetën dhe fatin e tij dhe të familjes së tij.

Këto janë themelet e Republikës së Re dhe pa dyshim është detyra më e shenjtë, garantimi i dinjitetit dhe i të drejtave tuaja, i çdo qytetari shqiptar – pavarësisht prej bindjeve politike, pavarësisht prej moshës dhe zanatit, përkatësisë krahinore, statusit social, statusit ekonomik, të gjithë të barabartë në Republiëkn e Re përpara ligjit, me të drejtat e garantuara para ligjit.

Ky është tabani dhe mbi këtë taban do të ngrihen fuqishëm, themelet e një ekonomie kombëtare vibrante, që do të ndezë motorrët e optimizmit, do të çlirojë energji pozitive, do të thithë investime të brendshme dhe të huaja, do të sigurojë një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar.