Për të gjithë ju që keni sakrifikuar këto 72 ditë dhe që keni vendosur themelet e kësaj Republikës së re, duhet ta dini që interesat shumë miliardëshe të republikës së vjetër dhe të kupolës politike që e kontrollon, të kupolës politike që ekziston vetëm për pasurinë e saj dhe për mbrojtjen e kësaj pasurie, të gjitha këto interesa përbëjnë një pengesë të madhe për zgjidhjen e kësaj cështje në format institucional të dialogut politik. Nga ana tjetër, jemi zotuar prej ditës së parë se Republika e Re nuk mund, e nuk do të themelohet mbi themele dhune, por vetëm mbi themele paqeje e demokracie.

Kjo dikton para nesh një rrugë, një rrugë që është bashkimi masiv dhe i vendosur i shqiptarëve në një lëvizje pa paralele, në Europë në Ballkan dhe në Shqipërinë e 27 viteve të fundit.

Bashkimi, pjesëmarrja aktive në betejat që na presin, është tani përcaktues në fitoren e Republikës së Re dhe ëndrrës që të gjithë bashkë kemi thurur prej 18 Shkurtit, këtu në këtë shesh. Refuzimi, refuzimi paqësor, por i vendosur prej datës 18 Qershor i cdo ligji dhe i cdo takse të republikës së vjetër, është detyra patriotike e cdo shqiptari e cdo shqiptareje të ndershme bashkëthemelues i Republikës së Re.

Kjo është një rrugë e lodhshme. Kjo është një rrugë me sakrifica, por kjo është e vetmja rrugë e ndershme, paqësore, patriotike, europiane, që na con drejt të ardhmes që të gjithë duam dhe dëshirojmë.

Ajo ditë po vjen, ku ju ta keni në dorë fatin tuaj dhe të gjithë së bashku të kemi në dorë fatin e Shqipërisë. Dita kur populli e ka në dorë, dita kur njerëzit e kanë në dorë, dita kur qeveritarët nuk janë pushtetarë arrogantë, por shërbëtorë të përulur të qytetarëve, unë e kam përë këtë ditë, e kam parë në vendet e Europës kur kam jetuar dhe kam studiuar, dhe nga thellësia e shoh se; kjo ditë për të gjithë ne po agon edhe në Shqipëri.

Por për këtë, duhet të refuzojmë me vendosmëri dhe të bashkuar pushtetin arrogant dhe kupolën politike të republikës së vjetër. Për këtë, duhet të bashkohemi në një betejë vendimtare, totale, cdo ditë, dhe pa asnjë tërheqje nga kjo ëndërr e madhe kombëtare.