Vizitova Selim Zenelin, një nga dy të plagosurit në aksidentin e djeshëm në minierat e kromit në Bulqizë, i cili ka pësuar fraktura, por ndodhet, fatmirësisht, jashtë rrezikuar për jetën.

Jashtë rrezikut për jetën ndodhet edhe 31 vjeçari Mentor Xheka, të cilin Selimi u fut ta shpëtonte. Selimi është dëmtuar më rëndë se Mentori. Mentori ndodhet aktualisht në spitalin e Peshkopisë, sipas informacioneve që kemi marrë përmes deputetit Gjunkshi. Gjendja e tij paraqitet stabël, mjekët kërkojnë t’i bëjnë një ekzaminim më të hollësishëm në Tiranë.

Aksidenti i djeshëm dhe plagosja e dy minatorëve në Bulqizë vjen pas një sërë aksidentesh, të cilat kanë kushtuar jetën e shtatë minatorëve në pak muaj, siç jeni të gjithë dëshmitarë.  Shtatë minatorë kanë vdekur, katër bashkëqytetarët tanë, tre minatorë kinezë në pak muaj në minierat e Bulqizës.

Këto janë kostot dhe faturat e një korrupsioni qeveritar të një prej ministrave më të korruptuar të kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit, të cilit i është mbyllur goja me milionat e mafies së kromit, që është përgjegjësia kryesore bashkë me qeverinë e Edi Ramës për vdekjet e mbi 40 minatorëve gjatë 5 viteve që qeveris PS.

Ashtu si krimi i organizuar ka marrë peng Ministrinë e Brendshme , mafia e kromit, mafia e lojërave të fatit, kanë marrë peng Edi Ramën, Olsi Ramën, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurin.

Ka ardhur koha ta flakim këtë qeveri që s’përfaqëson interesat e njerëzve, por interesat e mafies së drogës, mafies së lojërave të fatit, mafias së kromit.