Kemi vendosmërinë tonë, jo vetëm për t’i shkuar në fund mandatit të qeverisë teknike, si e vetmja zgjidhje, por po kështu për t’i shkuar në fund çdo standardi europian që garanton njëherë e mirë, jo vetëm lirinë e votës, por që garanton lirinë e vullnetin e qytetarëve, përmes zgjedhjeve parlamentare, përmes zgjedhjeve lokale, përmes zgjedhjeve të përgjithshme, përmes zgjedhjeve të pjesshme dhe përmes referendumeve për çështje që kanë të bëjnë me qytetarët.

Dhe, për këtë arsye, duam dhe kërkojmë votimin biometrik, elektronik dhe numërimin elektronik, si garanci totale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si detyrë kryesore të qeverisë teknike për qytetarët që jetojnë në Republikën e Shqipërisë, por po kështu, për të garantuar të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë kudo ku jetojnë, e drejtë që do të garantohet vetëm përmes një sistemi transparent, siç është sistemi i votimit biometrik elektronik dhe i numërimit elektronik.

Këto janë detyrat e mëdha që nuk mund ti kryejë kurrsesi qeveria që tregohet me gisht dhe nga bota mbarë, si përgjegjësja e kriminalitetit e shtetit, si autorja e kanabizimit të Shqipërisë dhe si atentatorja e demokracisë, në katër palë zgjedhje, që përgatitet po kështu të shkatërrojë e vrasë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo nuk mund të ndodhë.

Nuk ka asnjë shans ti besojmë autorëve të kësaj gjendje të krimit, drogës korrupsionit, që janë arsyet e shkatërrimit të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe mirëqënies sociale, që të përgatisin zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë rrugë tjetër përveç qeverisë teknike me mandat të gjerë politik.