Qëndrimi i Partisë Demokratike dhe i gjithë opozitës është shprehur tashmë.

Partia Demokratike, opozita dhe shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë që prej 18 shkurtit ndodhen në një lëvizje popullore, qytetare, kombëtare dhe demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, as nuk do të pranojnë, as nuk do të lejojnë zgjedhje farsë, zgjedhje me krimin, zgjedhje me drogën.

Dhe për këtë, kusht i patjetërsueshëm është largimi i Edi Ramës dhe formimi i një qeverie teknike me vullnet të të gjitha forcave politike, që do të mundësojnë krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar Ligjin për Dekriminalizimin, dhe duke luftuar influencën e krimit të organizuar dhe parave të pista të drogës.

Për fat të mirë, një nga meritat e mëdha të protestës së 18 shkurtit që vazhdon, është që është çjerrur kjo vello e paguar me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare. Dhe qendrat kryesore të politikëbërjes shohin me tronditje të madhe se si në qeverisjen e Edi Ramës, Shqipëria është shndërruar në një bazë kryesore të furnizimit të Europës jo vetëm me marijuanë por edhe me heroinë dhe kokainë. Se si shteti ligjor është zhbërë, bashkë me garancitë për liritë dhe të drejtat e njeriut, dhe se si, procesi demokratik është asgjesuar, jo nga një parti politike, jo nga socialistët shqiptarë, por nga kriminelët me damkë, të dënuar për vepra të rënda të krimit të organizuar që sot bën ligjin në shtetin shqiptar dhe brenda Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Zgjedhje me krimin në pushtet, zgjedhje pa dekriminalizuar shtetin shqiptar, nuk mund të ketë.

Nuk do të zhvillohen zgjedhjet. Unë ju garantoj që zgjedhje fasadë nuk do ketë. Nuk mund të ketë një proces demokratik, votime po, ka pasur 50 vjet votime në Shqipëri, por nuk ishin zgjedhje.

Proces farsë në Shqipëri nuk mund të zhvillohet, ky është zotimi ynë. Dhe së bashku me qytetarët shqiptarë jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha veprimet demokratike dhe paqësore…

Nuk do të ketë bojkot, por nuk do të ketë zgjedhje të diktuara nga krimi dhe nga droga.

Nëse ka përjekje për zgjedhje fasadë, PD dhe qytetarët do bëjnë atë që i takon çdo shoqërie të civilizuar; do të ndalur një maskaradë të tillë, dhe do t’u japin shqiptarëve, në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund të ketë bojkot, sepse nuk mund të ketë zgjedhje fasadë, zgjedhje me krimin, dhe njëherë e përsëris. Eshtë me rëndësi që këtë mesazh e jap sot, në këtë ditë në 35 të protestës, dhe e jap këtu nga Uashingtoni pas takimeve me krerët më lartë, me udhëheqësit më të lartë të Kongresit, të Senatit.