Lulzim Basha, intervistë në emisionin “Opinion”, me gazetarin Blendi Fevziu




Dy rrugë ka si zgjidhet kriza, njëra është rruga e dialogut politik për qeveri teknike, me anë të së cilës ne do u mundësojmë të gjithë shqiptarëve të votojnë të lirë, të pakërcënuar. Rruga tjetër është rruga e përbaljes me qytetarët. Rruga tjetër nëqoftëse nuk ka dialog politik për këtë, është rruga e përballjes qytetare që ka nisur në 18 Shkurt dhe nuk do të ndalojë deri sa të realizojmë qëllimin që kemi. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm me një qeveri teknike.

***

Ne rrezikojmë vetëm republikën e vjetër dhe interesat e krimit dhe korrupsionit të lidhura me të. Dhe jo vetëm i rrezikojmë, por ne do t’i asgjësojmë ato përmes kësaj lëvizje popullore. Hapi i parë për asgjësimin e tyre janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk ka për të pasur. Sa për çështjen e apelit të ndërkombëtarëve, edhe një herë dua t’ju them se asnjë zë ndërkombëtar nuk është ngritur kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kundër dekriminalizimit, kundër problemit të drogës i cili sot është botërisht i njohur. Rrugët që na çojnë drejt zgjidhjes së këtij problemi i ka përcaktuar opozita bashkë me qytetarët shqiptarë. Përgjegjësia jonë e pare, nuk është para ndërkombëtarëve. Sepse populli shqiptar, qytetarët shqiptarë, të papunët shqiptarë nuk hanë as në Bruksel, as në Belgjikë, as në Uashington, as nuk marrin ndihmë sociale atje kur janë të papunë këtu, as nuk marrin pensione atje. I kanë këtu problemet dhe problemet do të zgjidhen këtu dhe kjo është fare e qartë si për shqiptarët ashtu edhe për ndërkombëtarët. Prandaj ne marrim përgjegjësitë para qytetarëve shqiptarë, zgjidhjet do të jepen këtu.

***

Votimi i Vettingut është një çështje e cila është sjellë në këtë debat pikërisht për të eklipsuar problemin e madh që Edi Rama ka me garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, sepse Partia Demokratike nuk do t’i japë kurrë, kurrë votën Edi Ramës për një reformë Rama-Shullazi. Ne kemi votuar formulën Han-Nuland, dhe e vetmja formulë që do të zbatohet, e vetmja reformë që do të zbatohet është formula dhe reforma Han–Nuland, jo reforma Rama–Shullazi.

***

E vetmja gjë që rrezikon stabilitetin e Shqipërisë janë një tjetër palë zgjedhje ku qytetarët nuk janë të lirë të shprehin vullnetin e tyre dhe kësaj rradhe një palë zgjedhje ku parlamentin dhe qeverinë nuk e emërojnë më qytetarët me votë po i emëron krimi. Në qoftëse ndodh kjo, ta marrim për një moment, kjo padyshim kërcënon stabilitetin, demokracia ka marrë fund në atë moment dhe kjo kërcënon të ardhmen europiane të Shqipërisë. Sepse nuk do të ketë, edhe po të lejohej diçka e tillë apo po të merrte pjesë opozita, opozita në atë moment do të delegjitimohej, do kthehej në një alibi të krimit me mbështetje qeveritare, shqiptarët do të kishin të gjithë të drejtën të thonin për karriket tuaja, për pushtetin tuaj, për privilegjet që iu sjell të qenit deputetë, ju braktisët një kauzë pë të cilën ne ju besuam, që është kauza e çlirimit të vendit nga zgjedha e krimit dhe në këtë moment patjetër që do të ketë kaos, do të ketë kaos dhe do të ketë për fat të keq vazhdim të problemit të madh të emigrimit masiv të shqiptarëve. Por kjo nuk ka për të ndodhur, ky skenar nuk ka për të ndodhur dhe për këtë sot garante nuk është vetëm opozita por është një lëvizje e madhe qytetare që bashkë me opozitën janë të vendosura të mos të lejojnë një proces elektoral farsë. Me të gjitha format demokratike dhe paqësore, të mosbindjes civile ne do të pengojmë çdo përpjekje për të marrë peng Kavajën apo Shqipërinë nga krimi dhe droga.